Transmetuar më 30-10-2026, 14:06

Rreth 5 mijë kamera trupi kanë mbërritur në Shqipëri dhe pritet të shpërndahen në të gjitha drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit. Procesi i pajisjes së efektivëve do të nisë fillimisht në Tiranë dhe më pas do të shtrihet në të gjithë vendin.

Përfituesit e parë të pajisjeve të reja do të jenë efektivët e Policisë Rrugore, të cilët do t’i mbajnë kamerat gjatë gjithë kohës së shërbimit. Në një fazë të dytë, përdorimi i tyre pritet të përfshijë edhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Risi e këtij sistemi është monitorimi i drejtpërdrejtë nga Sallat Operative të Policisë. Kamerat do të mund të aktivizohen dhe të kontrollohen nga salla përkatëse, duke garantuar që efektivët të mos kenë mundësi të ndërhyjnë në regjistrimin e pamjeve.

Përmes këtij mekanizmi synohet të sigurohet dokumentimi i veprimeve policore gjatë shërbimit, si dhe të rritet transparenca dhe kontrolli mbi ndërhyrjet e uniformave blu.

Shpërndarja e rreth 5 mijë kamerave pritet të sjellë një ndryshim në mënyrën e monitorimit të punës së efektivëve në terren, duke krijuar një sistem më të centralizuar të mbikëqyrjes së veprimtarisë policore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit