Transmetuar më 30-10-2026, 14:02

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizimin e demokratëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në protestën kombëtare që do të zhvillohet të shtunën, në orën 12:00, në mbështetje të studentëve që prej ditësh protestojnë në Tiranë.

Gjatë një konference për mediat, këtë të premte, Berisha vlerësoi qëndresën e studentëve dhe të rinjve, duke e cilësuar protestën e tyre si një shprehje të guximit qytetar dhe të revoltës ndaj qeverisë.

Ai deklaroi se lëvizja studentore ka fituar vëmendje të gjerë, përfshirë edhe atë të mediave ndërkombëtare, ndërsa akuzoi qeverinë për përpjekje për të diskredituar protestuesit.

“Studentët në revoltën e tyre shumëditore kanë dëshmuar guximin e paparë ndonjëherë të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Studentët në revoltën e tyre kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një, por disa herë”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së ngriti gjithashtu akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për qëndrimin ndaj protestave dhe ndaj Policisë së Shtetit për mënyrën e ndërhyrjes gjatë tubimeve. Sipas tij, ndaj protestuesve është përdorur dhunë e pajustifikuar dhe janë ndërmarrë veprime në kundërshtim me standardet ligjore.

Berisha komentoi edhe deklaratat e kryeministrit për përfshirjen e ANTIFA-s në protestat studentore, duke pretenduar se këto akuza nuk janë marrë seriozisht nga opinioni ndërkombëtar.

Në përfundim, kreu i opozitës përsëriti thirrjen për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës, në orën 12:00, duke kërkuar që demokratët dhe mbështetësit e opozitës nga të gjitha qarqet t’u bashkohen studentëve në tubimin kombëtar në Tiranë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit