

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra këtë të premte, kërkesë e cila është pranuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas dorëheqjes së Hoxhës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka propozuar kreut të qeverisë caktimin e Fehmi Hotit si ushtrues detyre në krye të Policisë së Kosovës, propozim që është dekretuar menjëherë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti. Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij”, nënvizoi Zyra e Kryeministrit të Kosovës
Dorëheqja e kreut të policisë vjen pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, ngjarje që nxiti reagime të shumta publike mbi mosveprimin e organeve zbatuese të ligjit ndaj denoncimeve të mëparshme të viktimës për kërcënimet që i kanoseshin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






