Transmetuar më 30-10-2026, 12:30

TIRANË — Partia Socialdemokrate e Tom Doshit i ka propozuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, gjatë takimit zyrtar të mbajtur këtë të premte në Presidencë.

Përfaqësuesi i PSD-së ishte zyrtari i dytë politik që mori pjesë në konsultime, pas kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili më herët u shpreh i hapur për çdo datë brenda kalendarit kushtetues, me përjashtim të 2 majit.

Ndërkohë, forcat kryesore të opozitës kanë bojkotuar procesin e konsultimeve me kreun e shtetit.

Pas Partisë Demokratike, edhe Partia e Lirisë refuzoi ftesën e Presidentit, ku sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi deklaroi se kjo forcë politike nuk do të bëhet pjesë e takimeve.

Më herët, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi ftesën e Presidencës si një “teatër politik”.

Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen ditën e diel në periudhën mes 15 prillit dhe 15 majit, ndërsa afati i fundit që Presidenti Begaj ka në dispozicion për dekretimin e datës zyrtare është 6 nëntori.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit