

TIRANË — Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka pranuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, duke marrë masa disiplinore ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe pesë deputetëve të tjerë të opozitës.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e së premtes, Sali Berisha është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare. Ndërkohë, për deputetët Bledion Nallbati, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi masat disiplinore janë caktuar me 60 ditë përjashtim.
Gjithashtu, Sekretariati vendosi të mos e pranojë kërkesën për masë disiplinore ndaj deputetes Klodiana Çapja, duke e rrëzuar kërkesën e mazhorancës për përjashtimin e saj.
Kërkesa e mazhorancës erdhi pas kaosit dhe tensioneve të shkaktuara në seancën e fundit plenare, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, përdorën bilbila dhe ndezën flakadanë, duke detyruar ndërprerjen e punimeve të parlamentit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






