

BRUKSEL — Një sondazh i zhvilluar gjatë sezonit veror nga Shoqata Europiane e Kabinës së Pilotimit (ECA) ka nxjerrë në dritë të dhëna shqetësuese për sigurinë e aviacionit civil, ku tre në katër pilotë në Europë kanë përjetuar episode gjumi të pavullnetshëm gjatë fluturimit.
Anketa e realizuar me pjesëmarrjen e mbi 8.500 profesionistëve tregon se 76,8 për qind e pilotëve kanë përjetuar të paktën një episod mikrogjumi gjatë punës në kabinë brenda një muaji, ndërsa gati 25 për qind e tyre raportojnë se kjo u ka ndodhur më shumë se pesë herë. Shkak kryesor mbeten oraret e parregullta, turnet e gjata dhe koha e pamjaftueshme e pushimit mes fluturimeve.
“Disa kompani ushtrojnë presion mbi pilotët për të zgjatur turnet, për të kompensuar vonesat ose për të përballuar probleme të planifikimit. Këto praktika dëmtojnë drejtpërdrejt sigurinë e fluturimeve", deklaroi Coen George, Komandant Fluturimi
Sipas raportit, situata paraqitet më kritike te kompanitë ajrore me kosto të ulët (Low-Cost), ku mbi 60 për qind e pilotëve e cilësojnë si shumë të keq menaxhimin e rrezikut nga lodhja. Njëherësh, frika nga pasojat në vendin e punës bën që mbi 24 për qind e pilotëve të mos e raportojnë zyrtarisht lodhjen dhe të vazhdojnë fluturimin.
“Përgjegjësia për sigurinë nuk mund t’u lihet vetëm pilotëve. Ajo duhet të ndahet mes kompanive ajrore dhe institucioneve mbikëqyrëse shtetërore”, nënvizon Tanja Harter, Presidente e Shoqatës Europiane të Kabinës së Pilotimit (ECA)
Ndërkohë, shteti fqinj Italia shënon gjithashtu përkeqësim të dukshëm, ku përqindja e pilotëve që ankohen për kohë të pamjaftueshme rikuperimi është rritur nga 26,1 për qind në vitin 2023 në 42,9 për qind gjatë këtij viti.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






