

VORË — Policia e Shtetit ka arrestuar 41-vjeçarin Elton Andreica (i njohur edhe me mbiemrin Muça), personazh me precedentë të theksuar penalë, pasi u kap në lëvizje me armë zjarri pa leje.
Gjatë momentit të ndalimit nga forcat e rendit, 41-vjeçari ka bërë rezistencë fizike dhe ka kundërshtuar efektivët e policisë që ishin vënë në ndjekje të tij. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe konfiskuan edhe një jelek antiplumb.
Elton Andreica është i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa njihet edhe për përplasje e kundërshtim të forcave të rendit gjatë aksioneve të mëparshme të arrestimit.
Grupi hetimor ka ngritur dyshime se i arrestuari është i përfshirë në veprimtari të tjera të paligjshme kriminale, me hetimet që po zgjerohen posaçërisht mbi dyshimet për tregtim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






