

TIRANË, 30 Tetor 2026 — Ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, po shkaktojnë pasiguri midis drejtuesve financiarë dhe sipërmarrjeve në vend. Megjithëse disa masa — si ulja e TVSH-së në 6% për produktet e shportës bazë dhe dorëzimi i vetëm një pasqyre financiare (pas shkrirjes së detyrimit të dyfishtë në Tatime dhe QKB) — mirëpriten, barra kryesore për biznesin buron nga përqendrimi i simultan i ndryshimeve në disa sektorë kyç.
Ekspertët financiarë theksojnë se kostoja më e madhe nuk vjen nga vetë normat tatimore, por nga njëkohshmëria e zbatimit të tyre në procedurat e TVSH-së, tatim-fitimit, dividendit, fashave të pagave, sponsorizimeve dhe shtimit të fuqive shtrënguese të administratës tatimore.
Fushat kryesore që preken nga reforma fiskale dhe ndikimi i tyre në biznes përmblidhen si më poshtë:
Mekanika e re e TVSH-së dhe kontratat: Ndërsa TVSH-ja për shportën ulet në 6% dhe për akomodimin rritet në 10%, mungesa e udhëzimeve për kalimin e avanseve dhe kontratat me çmime të fiksuara rrezikon të krijojë mosmarrëveshje me Tatimet. Gjithashtu, blerja e stoqeve me 20% dhe shitja me 6% krijon një pozicion kredie që dëmton rrjedhën e parasë (cash flow).
Tatimi mbi dividendin dhe fitimi i pashpërndarë: Barra e kombinuar mbi fitimin e shpërndarë rritet nga 21.8% në 27.75% (njësimi i normës në burim në 15%). Zbatimi i kësaj norme mbi fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme shihet si masë me efekt prapaveprues, çka mund të nxisë shpërndarje të nxituara kapitali ose bllokim të investimeve.
Biznesi i vogël mes tri pragjeve: Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë sjell detyrime për faturim fiskal dhe kontabilitet të rregullt për subjekte të reja, ndërkohë që pragu prej 14 milionë lekësh mban përjashtimin nga tatim-fitimi. Kjo krijon hapsirë për ndarje artificiale të bizneseve ose frenim të xhiros nën prag për të shmangur kostot administrative.
Karburantet dhe taksa e automjeteve: Heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës (me një ulje potenciale prej 32.4 lekë/litër) shoqërohet me rritjen e taksës vjetore të mjetit, çka do të rrisë shpenzimet për kompanitë me flota të mëdha transporti.
Fuqizimi i procedurave tatimore: Administrata fiton të drejtën e bllokimit të menjëhershëm të llogarive për vonesa në këstet e paradhënies, gjobë 10% për pagesat me para në dorë në pakicë, si dhe afat prej 45 ditësh për dorëzimin e dosjes së çmimeve të transferimit.
Përballë mungesës së akteve të plota nënligjore dhe udhëzimeve nga Ministria e Financave, ekspertët rekomandojnë që bizneset të hartojnë buxhetet e vitit 2027 me skenarë fleksibël, të rishikojnë klauzolat e TVSH-së në kontrata dhe të përshtatin paraprakisht sistemet e tyre softuerike e fiskale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






