Transmetuar më 29-10-2026, 19:02

TIRANË, 29 Tetor 2026 — Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave, ish-sekretar shkencor dhe ish-zëvendëskryetar i saj.

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, akademik Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, maturën në gjimnazin e Tiranës dhe studimet e larta për drejtësi në Beograd e Sofje. Karriera e tij akademike shënjon zhvillimin e arsimit të lartë juridik në vend, ku ka shërbyer si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i Teorisë së Shtetit e të së Drejtës. Përveç kontributit kombëtar si autor i dhjetëra studimeve e monografive dhe pjesëmarrës kyç në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë pas viteve ’90, ai ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës.

Për meritat e tij të veçanta, ai u nderua me Çmimin e Karrierës Akademike nga Akademia e Shkencave në vitin 2016 dhe me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës në vitin 2020. Ceremonia e nderimeve dhe homazhet për akademik Luan Omarin do të zhvillohen ditën e nesërme, më 30 tetor 2026, pranë ambienteve të Akademisë së Shkencave, duke nisur nga ora 10:00 me Akademinë Solemne, për të vijuar me homazhet nga ora 11:00 deri në 13:00, ku do të mbahet edhe fjala e lamtumirës nga kryetari i ASHSH, akademik Skënder Gjinushi.

Njoftimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.

Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.

Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet.

Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.

Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar. Akad. Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.

Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.

I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!

Nderimet për akademik Luan Omarin, datë 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Ora 10.00: Akademi Solemne në sallën “Aleks Buda”

Ora 11.00-13.00: HOMAZHET

Ora 13.00: Fjala e Lamtumirës për akademik Luan Omarin nga kryetari i ASHSH akademik Skënder Gjinushi

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit