Transmetuar më 29-10-2026, 14:51

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të pezullojë nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, si dhe prokuroren e çështjes, Arlinda Nallbani Gacaferri, pas dyshimeve për mosveprim në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Vendimi u mor të enjten, në një mbledhje të jashtëzakonshme të KPK-së, ku pezullimi i dy prokuroreve u miratua me shtatë vota pro.

Më herët, kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, kishte rekomanduar pezullimin e tyre dhe kishte njoftuar për nisjen e procedurës disiplinore lidhur me trajtimin e rastit.

Po ashtu, KPK-ja ka themeluar një grup hetimor për të shqyrtuar rrethanat e çështjes dhe përgjegjësitë eventuale të personave të përfshirë.

Arlinda kërkoi ndihmë tri ditë para vrasjes

Masat ndaj dy prokuroreve vijnë pas dyshimeve për mosveprim lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, nga kunati i saj, sipas të dhënave të raportuara.

Vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar sigurinë e saj.

Së fundmi, mediat në Kosovë kanë publikuar edhe incizime audio, në të cilat ajo dëgjohet duke kërkuar ndihmë nga institucionet dhe duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe të djalit.

Gjatë bisedës, Zekaj shpreh frikën se mund të vritej dhe paralajmëron se zyrtarët do të duhej të mbanin përgjegjësi nëse asaj i ndodhte diçka.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit