Transmetuar më 29-10-2026, 14:09

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Incizime të publikuara së fundmi hedhin dritë mbi komunikimin e saj me një zyrtar policor, disa ditë para vrasjes, kur ajo kishte kërkuar zbatimin e urdhrit për mbrojtje ndaj ish-bashkëshortit.

Sipas bisedës së publikuar, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në polici për të kërkuar ndihmë dhe zbatimin e masës mbrojtëse. Gjatë komunikimit me zyrtarin policor Faruk Muçolli, ajo kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe të djalit, ndërsa përgjigjet që mori kanë nxitur reagime të forta.

Në një moment të bisedës, zyrtari policor dëgjohet duke i thënë: “Nuk jam i obliguar të merrem me ty.”

Kur Zekaj e pyet se kush e kishte këtë detyrim, ai i përgjigjet se ajo mund të paraqiste ankesë nëse konsideronte se policia nuk po vepronte siç duhej.

Pjesa më tronditëse e bisedës vjen kur Arlinda Zekaj paralajmëron për rrezikun që, sipas saj, i kanosej.

“Unë vritem, s’ka lidhje. Por ju keni për t’u përgjigjur. Është shumë e thjeshtë. Krejt gratë që janë vrarë kështu u janë përgjigjur, mbase kanë vdekur, a po?”, dëgjohet duke thënë ajo.

Në vijim të komunikimit, oficeri shprehet se nuk ishte i obliguar të merrej personalisht me të, ndërsa shton se kishte edhe qytetarë të tjerë që prisnin në radhë.

Pjesë nga biseda mes Arlinda Zekajt dhe zyrtarit policor Faruk Muçolli

Oficeri Faruk Muçolli: Nuk jam i obliguar të merrem me ty.

Arlinda Zekaj: E kush është i obliguar atëherë?

Oficeri: Në momentin që ti konstaton se ne nuk jemi në rregull, mundesh të paraqesësh një ankesë. Ne jemi lodhur. Unë e konsideroj se jemi në rregull.

Arlinda Zekaj: Djali më intereson mua.

Oficeri: Ne e kemi detyrim të të çojmë në derën e shtëpisë.

Arlinda Zekaj: Unë vritem, s’ka lidhje. Por ju keni për t’u përgjigjur. Është shumë e thjeshtë. Krejt gratë që janë vrarë kështu janë përgjigjur, mbase kanë vdekur, a po?

Oficeri: Unë personalisht ty nuk kam me të pranu se nuk e kam obligim.

Arlinda Zekaj: Përse? E kush e ka obligim?

Oficeri: E kam obligim moral. Derisa jam duke u marrë me ty, ka njerëz që presin në radhë aty.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit