

ÇEZENA — Detaje të tjera prekëse kanë dalë në dritë nga vrasja e Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që u gjet i pajetë në një pus në zonën e Longianos në Itali.
Mes dhimbjes së madhe për humbjen e parakohshme, bashkëshortja e viktimës ka rrëfyer figurën e të shoqit si një njeri të përkushtuar tërësisht ndaj familjes dhe punës.
“Ishte një bashkëshort i pranishëm, një baba i kujdesshëm, e donte shumë vajzën tonë vetëm një vjeçe. Ishte një punëtor i jashtëzakonshëm", u shpreh bashkëshortja e Denaldo Maxhallakut për mediat italiane
31-vjeçari, i cili punonte si bojaxhi dhe jetonte në Gatteo, u zhduk mbrëmjen e 8 tetorit pasi u largua nga banesa me premtimin se do të kthehej shpejt. Automjeti i tij u gjet i djegur të nesërmen, ndërsa trupi i pajetë u zbulua më 28 tetor në një pus në zonën e Felloniche.
Për krimin është ndaluar një 29-vjeçar italian, i cili ka pranuar autorsinë para hetuesve. Hetimet paraprake dyshojnë se ngjarja tragjike ndodhi pas një konflikti për një borxh prej 500 eurosh të lidhur me lëndë narkotike, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të përcaktojë detajet përfundimtare të shkakut të vdekjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






