

FIER — Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në dhomën e observimit në burgun e Fierit, pas transferimit nga IEVP Durrës ditën e djeshme.
Kjo procedurë zbatohet për të burgosurit që transferohen nga një institucion në tjetrin dhe zgjat nga 1 deri në 10 ditë. Gjatë kësaj periudhe, drejtuesit e institucionit shqyrtojnë dosjen e të paraburgosurit për të vlerësuar sektorin, qelinë, regjimin dhe personat me të cilët do të bashkëjetojë.
Megjithatë, kushtet fizike të ambientit ku po mbahet Veliaj kanë ngritur pikëpyetje serioze dhe pritet të shqyrtohen nga Avokati i Popullit. Avokati i tij mbrojtës, Plarent Ndreca, deklaroi se dhoma nuk ka dritare, dritë natyrale dhe ajrim, duke e përshkruar atë si të papërshtatshme.
Nga ana tjetër, sipas burimeve brenda institucioneve, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nuk është informuar paraprakisht për këtë transferim nga strukturat në varësi. Ndreca shtoi se mbrojtjes nuk i është vënë ende në dispozicion akti zyrtar me bazën ligjore dhe arsyet faktike të urdhrit të transferimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






