

SHKODËR — Policia e Shkodrës ka finalizuar megaoperacionin antidrogë të koduar “POLINOMI”, i zhvilluar pas një hetimi 4-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 265.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 mina të dyshuara antitank, 7 aparate celularë si dhe 6 automjete. Detajet e aksionit u bënë publike gjatë një konference për shtyp nga Drejtuesi i Policisë Vendore Shkodër, Dashamir Spaho.
Në kuadër të goditjes së këtij grupi kriminal, janë arrestuar në flagrancë katër shtetas:
Admir Selgjekaj, 38 vjeç
Elsid Ramci, 25 vjeç
Bujar Kukaj, 56 vjeç
Naim Kukaj, 52 vjeç
Përveç të arrestuarve, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë: Esat Kukaj, 58 vjeç, Denjan Kukaj, 23 vjeç, dhe Arnaldo Mulleti, 39 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, shtatë personat dyshohet se vepronin si grup i strukturuar për prodhimin, magazinimin, paketimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të kanabisit drejt tregut vendas dhe atij ndërkombëtar. Ndërhyrja u krye në lagjen “Guraj” të Malësisë së Madhe, ku pas bllokimit të një automjeti tip “Volkswagen Passat” dhe kontrolleve në banesat e vëllezërve Bujar dhe Naim Kukaj, u gjet sasia e lëndës narkotike e përgatitur për shitje.
Në tokën në pronësi të Bujar Kukajt u zbuluan gjithashtu dy minat antitank, të cilat iu dorëzuan për ekzaminim të mëtejshëm forcave xheniere të Forcave të Armatosura. Hetimet e policisë treguan se pjesëtarët e familjes Kukaj merreshin me magazinimin dhe paketimin e lëndës narkotike, ndërsa tre personat e tjerë organizonin transportin dhe shitjen e saj.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






