

TIRANË — Nga 1 janari, të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit do të përfitojnë një rritje të ndjeshme të pagave mujore, e cila konsiderohet si më e madhja e realizuar ndonjëherë për uniformat blu.
Sipas vendimit të qeverisë, rritja e pagës do të jetë 20 mijë lekë të reja në muaj për punonjësit e rolit bazë dhe 15 mijë lekë të reja në muaj për efektivët me grada më të larta, deri te niveli i drejtuesit madhor.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë vlerësuar më parë këtë masë si një mbështetje financiare të konsiderueshme për strukturat e rendit.
Vendimi për rritjen e pagave vjen në një periudhë me tensione të larta politike e sociale, pas protestave të njëpasnjëshme të zhvilluara në vend, ku efektivët e policisë janë përballur me përplasje dhe kritika mbi mënyrën e menaxhimit të situatës.
Gjithashtu, pak ditë më parë qeveria realizoi shpërndarjen e një shpërblimi financiar prej 2,980 eurosh për 2.750 punonjës të Policisë së Shtetit, në shenjë vlerësimi për angazhimin e tyre gjatë situatave të krijuara nga tubimet e fundit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






