Transmetuar më 29-10-2026, 09:50

ÇEZENA — Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e Denaldo Maxhallakut, shqiptarit 31-vjeçar që u gjet i pajetë në fundin e një pusi në zonën e Longianos, në provincën e Çezenës në Itali.

Një 29-vjeçar italian është ndaluar nga autoritetet vendase pasi pranoi krimin gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ku është shprehur shkurtimisht me fjalët “Isha unë”. Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve dhe mediave italiane, shkak për konfliktin me pasoja fatale dyshohet të jetë bërë një borxh prej rreth 500 eurosh i lidhur me lëndë narkotike.

I dyshuari ka pretenduar para hetuesve se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe humbjes së kontrollit gjatë përplasjes me viktimën.

“Kisha frikë për veten dhe familjen time, u ndjeva i kërcënuar, deklaroi 29-vjeçari i arerstuar para hetuesve italianë.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga gazeta italiane Il Resto del Carlino, autori e ka qëlluar 31-vjeçarin me armë zjarri, ka fshehur trupin e tij në një pus në zonën e Felloniche dhe më pas i ka vënë flakën automjetit të viktimës për të zhdukur gjurmët e krimit.

Denaldo Maxhallaku, i cili punonte si bojaxhi dhe jetonte në Gatteo me bashkëshorten dhe vajzën e tij 1-vjeçare, rezultonte i zhdukur që prej datës 8 tetor. Makina e tij u gjet e djegur një ditë pas zhdukjes, ndërsa trupi i pajetë u zbulua nga autoritetet më 28 tetor, rrethuar nga gëzhoja plumbash që konfirmuan ekzekutimin e tij me armë zjarri.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit