Transmetuar më 29-10-2026, 08:56

TIRANË — Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke realizuar ekstradimin nga Gjermania drejt Shqipërisë të një 29-vjeçari të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Ardit Gjokrosa, lindur dhe banues në Mat, u ekstradua nga Frankfurti falë bashkëpunimit mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Wiesbaden.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i kishte caktuar 29-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg” që prej majit të vitit 2024.

I ekstraduari akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjokrosa akuzohet për sigurimin e kushteve dhe të mjeteve materiale për vrasjen e Hamza Terziut në 2020-ën.

"Ardit Gjokrosa, akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit, Hamza Terziu, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të Kodit Penal;

“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 2-të i Kodit Penal;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal" thuhej në një komunikatë të SPAK të 2025 që gjeni këtu.

I arrestuari i është dorëzuar autoriteteve shqiptare për procedim të mëtejshëm ligjor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit