Transmetuar më 29-10-2026, 07:58

TIRANË, 29 Tetor 2026 — Fondet shtesë që qeveria parashikon për politikat e reja të pensioneve dhe bonusin e pensionistëve në projektbuxhetin e vitit 2027 përfaqësojnë një përfitim mesatar teorik prej 1,529 lekësh në muaj për pensionistët e pleqërisë, ose rreth 18,350 lekë në vit. Fondi i përgjithshëm i parashikuar për këto dy zëra arrin në 24 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12.35 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij financimi lidhet me bonusin vjetor, i cili nuk përben një rritje të përhershme të pensionit bazë mujor.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, stoku i pensionistëve të pleqërisë parashikohet të arrijë në rreth 673 mijë persona në vitin 2027. Nga shtesa prej 12.35 miliardë lekësh, 10 miliardë lekë i përkasin rritjes së fondit të bonusit (ekuivalente me 1,238 lekë në muaj për person), ndërsa vetëm 2.35 miliardë lekë shkojnë për politikat e reja të pensioneve (rreth 291 lekë në muaj). Analiza e ecurisë historike tregon se pensioni mesatar urban është rritur me vetëm 2,865 lekë përgjatë periudhës 2021–2025, duke arritur në 20,123 lekë, çka do të kërkonte rreth 18 vjet për t’u dyfishuar me ritmet aktuale nominale prej 3.9% në vit.

Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vazhdon të mbetet dukshëm mbrapa në nivelin e pagesave për moshën e tretë. Në fund të vitit 2025, pensioni mesatar urban në Shqipëri ishte afërsisht 205 euro (dhe ai rural rreth 125 euro), shifër kjo që është më pak se gjysma e niveleve të raportuara në Malin e Zi (543 euro), Serbi (485 euro) dhe Maqedoninë e Veriut (468 euro). Për më tepër, rritja e vazhdueshme e numrit të përfituesve të skemës me rreth 16 mijë persona në vit konsumon një pjesë të madhe të rritjes prej 5.2% të fondit të sigurimeve shoqërore, duke kufizuar efektin real të buxhetit mbi xhepat e pensionistëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit