Transmetuar më 29-10-2026, 07:11

FIER- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shkruar një letër nga burgu i Fierit, aty ku u izolua sot. Në letrën e publikuar nga avokati i tij Plarent Ndreca, Veliaj tregon se e kanë futur në izolim për 10 ditë dhe ndodhet pa ujë e pa dritare. Veliaj thekson ndër të tjera se i është refuzuar ushqimi, bisedat telefonike me familjarët dhe kujdesi mjekësor. Kryebashkiaku prek edhe çështjen e sigurisë, ku thotë se ndodhet në të njëjtin korridor me tre vrasës me burgim të përjetshëm.

“Futja në izolim për 10 ditë. Pa ujë e pa dritare. Jo kujdes mjekësor. Refuzim i ushqimit. Asnjë arsye për transferimin, izolimin. Asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin. Siguria? Në të njëjtin korridor me 3 vrasës, me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj në letër.

Avokati thotë gjithashtu se Veliaj nuk është ushqyer se ka dyshimet e tij se si është bërë gjithë ky transferim. Në orët e mbrëmjes, kryebashkiaku u vizitua në burg nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe avokati i tij, Ndreca, ku ky i fundit e cilësoi transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit si të paligjshëm.

Transferimi i kryebashkiakut nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndronte që prej arrestimit të tij në burgun e Fierit, u krye sot pas vendimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Veliaj, në një reagim në rrjete sociale, e cilësoi transferimin si një “rrëmbim policor” pasi nuk ishte njohur me aktin që urdhëronte transferimin dhe arsyet e lidhura me këtë vendim.

Më herët, Veliaj i është drejtuar me një kërkesë zyrtare institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar informacion dhe dokumentacion të plotë mbi transferimin e tij nga IEVP Durrës në IEVP Fier, më 28 tetor 2026. Kryebashkiaku kërkoi vënien në dispozicion të urdhrit të transferimit, arsyetimit ligjor dhe komunikimeve mes institucioneve. Sipas kërkesës, dokumentacioni është i nevojshëm për të verifikuar ligjshmërinë e transferimit dhe për të mundësuar ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit