

TIRANË, 28 Tetor 2026 — Këshilli i Ministrave ka miratuar krijimin dhe funksionimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar apo nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike gjatë grumbullimeve apo manifestimeve popullore.
Vendimi, që pason përshkallëzimin e protestave studentore në kryeqytet, synon dokumentimin e të dhënave të personave të përfshirë në veprime të dhunshme kundër jetës, shëndetit apo pronës. Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përmes ndërveprimit elektronik me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemin ADAM, pa krijuar akses të përgjithshëm në regjistrat e prokurorisë.
Masat e reja në kufi dhe njoftimi i strukturave akomoduese
Sipas vendimit të qeverisë, Policia Kufitare do të ketë akses të kufizuar në këtë bazë të dhënash për të zbatuar masa strikte kontrolli:
Refuzimi i daljes nga vendi: Policia Kufitare merr të drejtën të refuzojë administrativisht daljen jashtë shtetit për personat e përfshirë në veprime të dhunshme gjatë protestave, edhe në rastet kur ndaj tyre nuk është vendosur ende një masë sigurie gjyqësore për ndalimin e udhëtimit.
Njoftimi i shteteve pritëse: Nëse personit i lejohet kalimi i kufirit, autoritetet shqiptare do të njoftojnë zyrtarisht vendin e destinacionit mbi faktin se udhëtari është i referuar për vepra penale kundër rendit public.
Njoftimi i hoteleve dhe strukturave akomoduese: Policia e Shtetit do të vërë në dijeni bizneset private të akomodimit mbi personat e skeduar që u janë referuar prokurorisë.
Të dhënat e regjistruara do të rishikohen brenda 30 ditëve, ndërsa në rastet kur prokuroria vendos mosfillimin apo pushimin e procedimit penal, të dhënat e personit do të fshihen automatikisht. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
VENDIMI
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT TË POSAÇËM ELEKTRONIK TË PERSONAVE TË REFERUAR OSE NËN HETIM PËR VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE, TË KRYERA ME DHUNË GJATË GRUMBULLIMEVE DHE MANIFESTIMEVE PUBLIKE, SHKËMBIMIN E TË DHËNAVE DHE VERIFIKIMET KUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin dhe funksionimin e regjistrit të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për veprat penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të parashikuara në seksionet I dhe III, të kreut VIII, të pjesës së posaçme të Kodit Penal, por pa u kufizuar në to, kur faktet përfshijnë kryerjen e veprimeve të dhunshme në dëm të jetës dhe shëndetit të personit ose pronës publike dhe private në grumbullime e manifestime publike.
2. Regjistri administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përmban të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga Policia e Shtetit në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.
3. Regjistri përmban:
a) të dhëna parësore: numrin unik të regjistrimit, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, të dhëna procedurale për personin dhe historikun e përditësimeve;
b) të dhëna dytësore: identitetin e personit që sigurohet nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Numrin e referimit, datën e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar të tilla, që sigurohen nga sistemi ADAM dhe regjistrat përkatës elektronikë të Policisë së Shtetit.
4. Shkëmbimi realizohet përmes ndërveprimit elektronik të autorizuar, pa krijuar akses të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në regjistrat e prokurorisë.
5. Policia Kufitare dhe e Migracionit ka akses të kufizuar në regjistër, vetëm për qëllime të verifikimit kufitar dhe të zbatimit të masave kufizuese, të parashikuara me ligj. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit, Policia Kufitare ka të drejtën e refuzimit administrativ të daljes, sipas shkronjës “c”, të pikës 7, nenit 6, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.
Në çdo rast, nëse ndaj personit nuk vendoset refuzimi i daljes, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi për faktin e referimit të tij për veprat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
6. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton personat fizikë dhe juridikë privatë, që kanë struktura akomoduese, për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprimet e sipërpërmendura dhe se për këtë i janë referuar materialet përkatëse prokurorisë.
7. Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave rishikohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga regjistrimi. Në rast të marrjes së informacionit nga prokuroria kompetente për mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.
8. Përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave kryhen në përputhje me ligjin nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






