

"Mbretëresha e luleve" mbërrin tek ambasada shqiptare në Pekin
Një simbol i kulturës kineze dhe i miqësisë mes dy vendeve, iu shtua mjediseve të Ambasadës së Shqipërisë në Pekin.
Bashkia e qytetit Heze, në provincën Shandong, dhuroi 32 bimë bozhure, të cilat u mbollën në ambientet e ambasadës, në praninë e ambasadorit shqiptar, Riza Poda dhe personaliteteve kineze.
E njohur si “Mbretëresha e Luleve”, bozhurja simbolizon paqen, begatinë, lumturinë dhe miqësinë. Qyteti Heze, i njohur si “Qyteti i Bozhures”, ka një traditë të gjatë në kultivimin e kësaj luleje, e cila zë një vend të rëndësishëm në kulturën kineze.
Në fjalën e tij, ambasadori Riza Poda theksoi rëndësinë e shkëmbimeve të tilla për forcimin e miqësisë dhe njohjen më të mirë të kulturës dhe traditave të dy popujve. Ai vlerësoi nismat që krijojnë ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kinës, përtej marrëdhënieve diplomatike.
Në kuadër të aktivitetit u organizua edhe një prezantim i produkteve të ndryshme të provincës Shandong, të prodhuara nga bozhurja. Përmes këtyre produkteve u prezantuan përdorimet e shumta të bimës, e cila, përtej vlerave të saj dekorative, ka gjetur vend edhe në sektorë të ndryshëm të prodhimit.
Dhurimi dhe mbjellja e 32 bozhureve, së bashku me prezantimin e produkteve që burojnë nga kjo bimë, përcollën një mesazh miqësie dhe shkëmbimi kulturor. Bozhurja do të mbetet tashmë një simbol i kësaj lidhjeje në mjediset e Ambasadës Shqiptare në Pekin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






