

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur protesta për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe përgjegjësi institucionale për rastin tragjik. Në tubim janë të pranishëm edhe familjarë të viktimës.
Protestuesit janë mbledhur për të kërkuar drejtësi dhe masa konkrete kundër dhunës ndaj grave, ndërsa përmes thirrjeve dhe pankartave kanë përcjellë mesazhe solidariteti dhe pakënaqësie ndaj institucioneve.
“Na nuk jemi vetë, e kena njana-tjetrën”, “Liri, barazi, solidaritet” dhe “Shteti i ka duart me gjak” janë disa nga thirrjet e dëgjuara gjatë protestës.
Mes pankartave të protestuesve është edhe mesazhi: “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës
Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. Në lidhje me rastin, kunati i saj, i dyshuar për vrasjen, është arrestuar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar.
Ndërkohë, më herët është arrestuar edhe ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Protesta në Prishtinë synon të mbajë në vëmendje publike rastin dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. Pjesëmarrësit kërkojnë që rrethanat e vrasjes të hetohen plotësisht dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






