Transmetuar më 28-10-2026, 15:53

Autoritetet kroate kanë bllokuar dy ngarkesa me produkte bujqësore nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike kanë evidentuar nivele të larta aflatoksinash te fiqtë e thatë dhe mbetje pesticidesh mbi kufijtë e lejuar te specat e kuq.

Sipas të dhënave të publikuara më 26 tetor në Sistemin Evropian të Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF), një ngarkesë me fiq të thatë shqiptarë ka rezultuar me përqendrime të aflatoksinave mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian.

Aflatoksinat te fiqtë e thatë, mbi katërfishin e kufirit të lejuar

Sipas të dhënave të raportuara, fiqtë e thatë kanë rezultuar me 47,5 mikrogramë aflatoksina totale për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 10 mikrogramë për kilogram.

Gjithashtu, analizat kanë evidentuar aflatoksinën B1 në nivelin 36,9 mikrogramë për kilogram, kundrejt kufirit maksimal prej 6 mikrogramësh.

Aflatoksina B1 prodhohet nga disa lloje myku dhe klasifikohet si kancerogjene për njerëzit. Për shkak të tejkalimit të normave të lejuara, autoritetet kroate kanë vendosur asgjësimin e ngarkesës me fiq të thatë.

Edhe specat me mbetje pesticidesh mbi normat e lejuara

Probleme janë konstatuar edhe në një ngarkesë me speca të kuq nga Shqipëria. Sipas raportimit në sistemin RASFF, në produkt është zbuluar pesticidi chlorfenapyr në nivelin 0,052 miligramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0,01 miligramë për kilogram.

Ky rezultat përfaqëson një tejkalim prej më shumë se pesëfish të kufirit të lejuar. Të dyja rastet janë evidentuar gjatë kontrolleve kufitare në Kroaci.

AKU ende pa sqarime publike

Ndërkohë, sipas informacionit të bërë publik, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me rastet e evidentuara në Kroaci.

Mbetet e paqartë nëse janë kryer verifikime në Shqipëri për ngarkesat përkatëse, nëse produktet e të njëjtave subjekte janë tregtuar në tregun vendas dhe çfarë masash mund të merren ndaj operatorëve përgjegjës.

Gjithashtu, nuk ka informacion të plotë publik mbi mënyrën se si është trajtuar ngarkesa me speca të kuq pas konstatimit të mbetjeve të pesticidit mbi normat e lejuara.

Rastet rikthejnë vëmendjen te kontrollet e sigurisë ushqimore, gjurmueshmëria e produkteve bujqësore dhe nevoja për transparencë nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht kur kontrollet në tregjet evropiane evidentojnë shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit