Transmetuar më 28-10-2026, 15:50

Drejtoria e Antiterrorit ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj personave të dyshuar për thirrje publike për dhunë dhe nxitje të veprimeve të kundërligjshme në rrjetet sociale, në kontekstin e protestave të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit në Tiranë dhe në disa qarqe të vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë kompetente, është ndaluar një person, ndërsa 17 të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu, materialet për disa llogari në rrjetet sociale janë referuar në Prokurori për identifikimin e personave përgjegjës.

Kërcënim për vendosjen e bombave, ndalohet 33-vjeçari

Në pranga ka përfunduar shtetasi E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”.

Sipas Policisë, ai dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, duke kërcënuar me vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme të këtij subjekti.

Procedime për thirrje për dhunë dhe nxitje të urrejtjes

Në kuadër të të njëjtit hetim, materialet janë referuar në Prokurori për disa shtetas të dyshuar për publikimin e mesazheve, videove dhe komenteve që, sipas autoriteteve, nxisin veprime të dhunshme gjatë protestave.

Mes tyre është A. K., 34 vjeç, i dyshuar për thirrje publike për veprime të dhunshme në Instagram. Policia pretendon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në platformën GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar në mënyrë të rreme se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, sipas njoftimit, atij i është gjetur dhe sekuestruar një dokument identifikimi si gazetar.

Një tjetër person, E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, po procedohet penalisht për thirrje publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale. Sipas Policisë, ai ka publikuar video në rrjetet sociale, përmes të cilave dyshohet se ka ofruar shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj përfaqësuesve të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Publikimi i të dhënave të efektivëve dhe simbole naziste

Në mesin e personave të proceduar është edhe G. P., 37 vjeç, i dyshuar për ndërhyrje të padrejta në jetën private dhe përndjekje. Sipas Policisë, ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruara me komente fyese dhe denigruese.

Autoritetet pretendojnë se këto publikime mund të rrezikojnë sigurinë e efektivëve dhe të familjarëve të tyre, si dhe të nxisin intimidim apo dhunë. Në llogarinë që administron 37-vjeçari janë evidentuar gjithashtu postime me përmbajtje kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore.

Ndërkohë, O. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, po procedohet penalisht për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe për shpërndarje të shkrimeve antikushtetuese. Sipas Policisë, gjatë një proteste ai ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën kryesore të Universitetit Politeknik.

Procedohen edhe persona të tjerë për postime në rrjetet sociale

Policia njofton se procedime janë regjistruar edhe ndaj shtetasve A. G., 56 vjeç, dhe A. A., 50 vjeç, të dy banues në Tiranë, për vepra penale që lidhen me thirrjet për dhunë dhe publikimin e materialeve të cilësuara nga autoritetet si nxitëse ose antikushtetuese.

Gjithashtu, 11 persona të tjerë, të moshave 18 deri në 46 vjeç, dyshohen për thirrje publike për veprime të dhunshme përmes shkrimeve, mesazheve dhe komenteve në platforma të ndryshme online.

Përveç procedimeve ndaj individëve, materialet janë referuar në Prokurori edhe për shtatë llogari në platforma të ndryshme komunikimi dhe për një llogari në Instagram. Autoritetet po punojnë për identifikimin e administratorëve të tyre dhe të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë përcjellë prokurorive kompetente për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Personat e përmendur konsiderohen të dyshuar dhe përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga organet e drejtësisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit