

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas transferimit nga paraburgimi i Durrësit drejt burgut të Fierit, duke pretenduar se nuk i është vënë në dispozicion dokumentacioni zyrtar që urdhëron zhvendosjen dhe arsyet ligjore që e justifikojnë atë.
Në një deklaratë të publikuar më 28 tetor, Veliaj pretendon se punonjës të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për ta transferuar në Fier, pa i dhënë mundësinë të njihet me aktin përkatës.
Sipas tij, kërkesat e përsëritura, të bëra si prej tij, ashtu edhe nga avokati i tij, për të marrë dokumentacionin janë refuzuar.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, deklaron Veliaj.
Ai thekson se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe kundërshton mënyrën se si, sipas tij, është realizuar ky proces, duke ngritur pretendime për mungesë transparence dhe pengim të ushtrimit të të drejtave të tij ligjore.
Kërkon ndërhyrjen e institucioneve
Në reagimin e tij, Veliaj i është drejtuar publikisht ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari Gogu, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e transferimit.
Ai e cilëson zhvendosjen si një veprim me prapavijë politike dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë ligjshmërinë e procedurës së ndjekur.
Deri në informacionin e bërë publik në deklaratën e Veliajt, nuk paraqitet një përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me arsyet e transferimit.
Reagimi i kryebashkiakut vjen në një moment tensionesh politike, ndërsa rrethanat dhe arsyet zyrtare të transferimit mbeten për t’u sqaruar nga institucionet përgjegjëse.
Deklarata e plotë e Erion Veliajt:
Sot, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të më transferuar në burgun e Fierit.
Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti.
Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia.
Unë nuk kam dhënë pëlqimin për këtë transferim dhe kam kundërshtuar mënyrën se si po realizohet, pa transparencë dhe pa më mundësuar ushtrimin efektiv të të drejtave të mia ligjore.
I kërkoj publikisht Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht, të verifikojnë arsyet dhe shkaqet e këtij transferimi politik.”
Erion Veliaj
IEVP Durrës, 28 tetor 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






