

Biznesmeni nga Velipoja, Mir Bruli, pronar i resortit turistik “Ara e Vjetër”, është transportuar nga burgu i Fierit drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër.
Sipas informacioneve paraprake, 58-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare mbi gjendjen e tij.
Arrestimi dhe dënimi
Mir Bruli u arrestua më 17 maj 2024 në Velipojë, në kuadër të një operacioni të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë të cilit u lëshuan 50 urdhër-arreste në disa qytete të vendit.
Më 29 prill të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi me 9 vite burg, dënim që, sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 6 vite. Sipas informacionit të publikuar, çështja vijon të jetë në proces në Apelin e GJKKO-së dhe vendimi nuk ka marrë formë të prerë.
Bruli u shpall fajtor për transportimin në mënyrë të paligjshme nga Mali i Zi drejt Shqipërisë të disa personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Lidhja familjare me Pëllumb Gjokën
Mir Bruli është i afërm i biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”.
Në një proces gjyqësor të lidhur me këtë dosje, Gjoka u dënua me 6 vite burg për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy personave, ndërsa ish-funksionari i policisë Ardit Hasanbegaj u dënua me 5 vite burg.
Gjoka përballet gjithashtu me një proces tjetër në Gjykatën e Posaçme, ku, së bashku me dy shtetas të tjerë, akuzohet për vrasjen e Gjin Ndoj, i njohur si Boriçi, si dhe për sigurimin e kushteve për vrasje të tjera.
Hetimet ndaj Gjokës dhe personave të tjerë nisën pas mbërritjes nga Franca të të dhënave të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC.
Çështja përfshin akuza për disa vepra penale, mes tyre vrasje, korrupsion aktiv dhe pastrim parash, të dyshuara se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






