

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën fiskale 2027 duke folur për një mori taksash e tatimesh që rriten, disa të reja, dhe në ndonjë rast, ulje të tyre.
Bie në sy se ndryshe nga projektligji dhe projekt paketa fiskale 2027 që u shpërndanë dje në media nga zyrat e qeverisë, sot kemi një tërheqje.
Kështu tatimi mbi fitimin mbetet 15 për qind dhe nuk do të shkojë 17 për qind.
Agroturizmi nuk do të ketë rritje TVSH-je.
Ndërkohë Rama foli për taksa të reja, si ajo e makinave që vijnë nga jashtë, taksë qarkullimi për çdo makinë, supertaksë për makina luksi, supertaksë siç tha ai për pronat në bregdet dhe taksa të larta për prona që janë bosh.
Më poshtë noa.al ju sjell detajet e plota:
Ulet TVSH për 54 produkte
Ulim normën TVSH për ushqimet bazë – nga 20% në 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, miellin, vajrat, sheqerin, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.
Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë Euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%.
Nga ana tjetër praktika e re e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet e fuqizohet, për të garantuar që ulja domethënëse e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj.
TVSH shkon 21 për qind
Rrisim me 1% normën standarde të TVSH-së si një kompensim i ndershëm kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes ose e thënë ndryshe, për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit, të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm.
Nuk ka rritje të tatimit mbi fitimin, rritet mbi dividentin
Nuk rrisim normën e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15%.
Por sot rrisim ama në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimin mbi dividentin, i cili duke shkuar nga 8% në 15 %, i ngarkon biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre, në funksion përsëri të lehtësimit të atyre që kanë më pak.
Ndryshon Tatimi mbi të ardhurat
Ulim barrën tatimore, më vjen natyrshëm buzëqeshja sepse janë 32,000 tatimpagues që janë pjesë vitale e shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje, rritjen e pragun të sipërm të tatimit mbi pagën, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja.
Prag i ri page për tatimin
Nga ana tjetër vendosim një prag të ri të tatimit mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, në radhë të parë si një instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit.
Ulet pragu i TVSH
Po ashtu, ulim pragun e aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për t’u fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve, nëse nuk duan të hyjnë në regjimin e TVSH-së vitin e ardhshëm.
Taksa zero vazhdon deri më 2029 për biznesin e vogël
Ndërkohë, qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029.
Rritet TVSH për hotelet. Përjashtohet sërish agriturizmi
Rrisim edhe normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10 %, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten dhe vetëm rriten e rriten çdo vit.
Taksa për shitjet online
Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follëer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Paralelisht po punohet në ligje e vendime të tjera, edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim, solidaritet me ata që e ndjejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe dhe ne duhet të jemi aty për t’i ngushtuar.
Taksa të larta për shtëpitë bosh
Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve).
Super taksë për prona në bregdet
Një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj.
Super taksë për makinat luksoze
Në këtë paketë fiskale do të ketë edhe një super-taksë për makinat e luksit.
Kontroll i ri mbi të ardhurat
Pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian ose e thënë më thjeshtë, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.
Hiqet taksa e qarkullimit te karburantet
Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës.
Rikthehet te makinat, taksa e qarkullimit
Taksën do ta rikthejmë tek makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.
Taksë e re për makinat që vijnë nga jashtë
Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, siç e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






