Transmetuar më 28-10-2026, 12:45

BRUKSEL, 28 Tetor 2026 — "Nëse digjemi ne, edhe ju digjeni me ne!" — kjo frazë e huazuar nga filmi "Lojërat e Urisë" është kthyer në simbolin e një brezi të tërë rinor që po trondit themelet politike e sociale në mbarë Evropën. Nga periferitë e Parisit e rrugët e Milanos, deri në sheshet e Tiranës e Beogradit, Gjenerata Z (e lindur mes viteve 1997 dhe 2012) po udhëheq një valë protestash të paprecedentë, e nxitur nga zemërimi ndaj korrupsionit, rritja e kostos së jetesës dhe ndjenja e thellë e injorimit nga klasa politike.

Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, rritja e çmimeve mbetet shqetësimi kryesor për 40% të të rinjve. Paralelisht, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se kategoria e moshës 18-24 vjeç përballet me rrezikun më të lartë të varfërisë në BE (26.3%), krahasuar me vetëm 18.8% te moshat mbi 65 vjeç. Kjo pabarazi, e kombinuar me infrastrukturën e shkatërruar arsimore dhe shpenzimet masive publike për pensionet në kurriz të arsimit, ka krijuar një ndjesi kolektive pasigurie për të ardhmen.

Në Francë e Itali, nxënësit e studentët ankohen për kushte skandaloze në shkolla dhe mungesë perspektive profesionale, ndërsa në Shqipëri, demonstratat studentore në Tiranë kundër qeverisjes dhe korrupsionit reflektojnë dëshirën e brezit të ri për të braktisur vendin për shkak të mungesës së meritokracisë.

Efekti i kësaj kryengritjeje rinore ka dhënë tashmë rezultate politike: në Serbi, lëvizja studentore kulmoi këtë fundjavë me rrëzimin nga pushteti të Aleksandar Vuçiç pas dy vitesh protestash. Pavarësisht përplasjeve të dhunshme me policinë në disa kryeqytete, të rinjtë evropianë insistojnë se reagimi i tyre radikal erdhi vetëm pasi kanalet e rregullta të dialogut u injoruan tërësisht nga autoritetet.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit