

Një javë pasi iu komunikuan akuzat, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit ne SPAK bashkë me avokatin e saj Ardian Kalia dhe u njoh me mbylljen e hetimeve.
Së shpejti dosja në ngarkim të saj pritet të zbresë për gjykim në GJKKO.
Mbi ish-zv.kryeministren rëndojnë akuzat, ‘korrupsion’, ‘shkelje e barazisë në tendera’, ‘pastrim parash’ dhe ‘fshehje pasurie’
SPAK tha se e kishte thelluar hetimin duke arritur të zbulojë fakte te reja penale për Ballukun dhe rrethin e dyshuar të saj.
Faktet penale në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, janë për kryerjen e veprave penale:
A- “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (e kryer tetë herë),parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurat e prokurimit me objekt:
1.“Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë).
2.“Plotësimi rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”.
3.“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”.
4.“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”.
5.“Ndërtimi i Unazës sëJashtme Tiranë, Loti 4”.
6.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”.
7.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”.
8.“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”;
B- “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Nga kryerja e veprimeve hetimore në vijim të hetimeve paraprake, të shoqëruara edhe me metoda speciale të hetimeve, si dhe nga mbledhja e provave dixhitale dhe provave të tjera, kanë rezultuar të dhëna për fakte penale të reja, në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku.
Konkretisht, nga aktet e administruara kanë rezultuar të prova për veprime të kundraligjshme të të pandehura Belinda Balluku, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, me fond limit 2 353 597 373.94 (dy miliardë e treqind e pesëdhjetë e tre milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre pikë nëntëdhjetë e katër) lekë pa tvsh.
Në lidhje me procedurën e prokurimit të sipërcituar, rezulton se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Miranda Shkurti, Dhurata Lazaj dhe Nikollaq Mihali, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit Arbër Troka, Gëzim Noni dhe Arlinda Gordani, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorin ekonomikë fitues të kësaj procedure prokurimit, bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko-Impex General Construcion” dhe “2T” sh.p.k, duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, nenet 18, 19, 21, 42/2, 56, 76, 77, 80, 92, 95 të tij, me ligjin nr.9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, nenin 3 të tij, si dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, nenet 7 (pika 1, 2 dhe 9), 26, 27, 47 (pikat 2, 3, 4), 73, 82, 93, të tij.
Nga hetimi rezulton se e pandehura Belinda Balluku ka në pronësi faktike pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, e cila ka rezultuar se është një pasuri e fshehur.
Për të fshehur këtë pasuri të padeklaruar, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive nëpërmjet kontratës së sipëmarrjes, datë 26.10.2020, nëshumën 250,000 Euro, vlerë që përfshinte investimin deri në ndërtimin e pasurisë në fazën e karabinasë.
Ndërsa në vijim të ndërtimit të këtij objekti, investimi është marrë përsipër dhe realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i shoqërisë “Alko Impex General Construction”, pjesë përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga ana e shtetasit Arbër Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288,616 Euro deri në 410,526 Euro.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të funksionit, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, në procedurën e prokurimit të sipërpërmendur, ka kërkuar dhe marrë nga shtetasi Arbër Abazi, vlerën e përfitimit të parregullt, në formën e investimeve/punimeve në objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë.
Për të fshehur përfitimin e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, e pandehura Belinda Balluku ka përdorur sërish shtetasin Igli Tare, duke kryer veprime fiktive të mëtejshme në lidhje me krijimin e dokumentacionit të pronësisë, për regjistrimin e kësaj prone në emër të shtetasit Igli Tare, sipas kontratës fiktive të shitjes, datë 12.09.2025.
E pandehura Belinda Balluku, për shkak të detyrës, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të neneve 3, pika 2, gërma“a”, neni 7, pika 1, të Ligjit nr.9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” të ndryshuar, ka pasur detyrimin ligjor për deklarim të kësaj pasurie, por që nuk e ka bërë, me qëllim fshehjen e saj, nëpërmjet krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.
Për faktet penale të reja në lidhje me pasurinë e paluajtshme“Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, e ndërtuar në kompleksin “Green Coast”, Palasë, Himarë, rezulton se:
-E pandehura Belinda Ballku dyshohet se ka kryer veprat penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuara nga nenet 260 dhe 257/a, të Kodit Penal, si dhe për veprën penale“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Shtetasi Arbër Abazi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
-Shtetasi Igli Tare dyshohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
-Personi juridik “Alko Impex General Construction” (shoqëri e shtetasit Arbër Abazi) dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 të Kodit Penal.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.591, datë 09.09.2026, ka vendosur:
-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”mbi pasurinë e paluajtshme “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë, me të dhënat e pasurisë së regjistruar Zona Kadastrale 1739, me numër pasurie 68/87/73, Volumi 9, Faqe 148, me sipërfaqe totale 478 m2, prej të cilave 478 m2 truall dhe 142.6 m2 ndërtesë (me përshkrim të veçantë “ sipërfaqe kati përdhe 142.6m2, sipërfaqe kati i parë 128.6m2, sipërfaqe nën parkim1 20.1m2, sipërfaqe nën parkim2 40.2m2).
Më herët Prokuroria e Posaçme kishte vijuar hetimet ndaj Belinda Ballukut, e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe njoftoibse pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.
Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






