

LEZHË, 27 Tetor 2026 — Qytetari Luigj Doda nga Talja e Lezhës i është drejtuar emisionit hulumtues "Stop" pas një incidenti me punësimin e një shtetasi të huaj, për të cilin kishte paguar 700 mijë lekë të vjetra pranë agjencisë së punësimit "Agility Group Albania".
Doda kishte lidhur kontratë për të siguruar një punonjës nga India me qëllim që të punonte si bari në fermën e tij. Megjithatë, mbërritja e të riut indian zgjati vetëm katër ditë, pasi ai u largua nga banesa pa lënë asnjë gjurmë. Denoncuesi ngriti dyshime se procedura e punësimit mund të jetë përdorur thjesht si një urë kalimi për ta ndihmuar emigrantin të kalonte ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke theksuar se një ditë para largimit agjencia i kishte kërkuar vendndodhjen e saktë të shtëpisë.
Edhe pse marrëveshja parashikonte zëvendësimin e punonjësit në rast largimi, zgjidhja nuk u realizua brenda afateve. Ndërkohë, administratorja e kompanisë, Suzana Aga, deklaroi se kontrata parashikon zëvendësimin dhe jo kthimin e menjëhershëm të parave, duke pretenduar se procesi kërkon kohë administrative. Megjithatë, pas ndërhyrjes mediatike të emisionit, kompania pranoi t’i kthejë Dodës të gjithë shumën e paguar për shërbimin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






