

Ish-ministri izraelit i Drejtësisë: Eisenkot pritet të zëvendësojë Netanyahun si kryeministër
Ish-ministri izraelit i Drejtësisë, Yossi Beilin, parashikon largimin e Benjamin Netanyahut nga pushteti dhe zgjedhjen e Gadi Eisenkot si kryeministër i ardhshëm i Izraelit, duke u bazuar te projeksionet e sondazheve pranë qendrave të votimit.
“Gjëja kryesore është që Netanyahu të mos vazhdojë të jetë kryeministër i Izraelit”, deklaroi Beilin për Al Jazeera nga Tel Avivi.
I pyetur se përse është i bindur për këtë skenar, Beilin tha se vendimtare është aftësia e partive për të krijuar një koalicion qeverisës.
“Çështja në sistemin tonë është koalicioni”, u shpreh ai, duke argumentuar se partitë kundërshtare të Netanyahut, të marra së bashku, pritet të sigurojnë dukshëm më shumë vende parlamentare.
Beilin vlerësoi gjithashtu se çështja palestineze mbetet në qendër të politikës izraelite, pavarësisht nëse politikanët e pranojnë apo jo publikisht këtë realitet.
Sipas tij, angazhimi i Eisenkot për planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën mund të sjellë ndryshime në qasjen e Izraelit.
Në të kundërt, Beilin akuzoi Netanyahun se i mbështet këto propozime vetëm me fjalë, pa treguar angazhim real për zbatimin e tyre.
Deklaratat e ish-ministrit vijnë në një klimë pasigurie politike, ku rezultati përfundimtar dhe aftësia e partive për të formuar një shumicë parlamentare do të jenë vendimtare për përcaktimin e qeverisë së ardhshme.
Sakaq Kanali 12 në Izrael njoftoi se muk ka gjasa që Eisenkot ta përfshijë Netanyahun në qeverinë e tij.
Pritet që Eisenkot të kërkojë të formojë një qeveri me koalicion të gjerë pa praninë e Netanyahut.
Partitë arabe kanë marrë 18 vende në parlamentin izraelit, 53 i kontrollon Eisenkot dhe deri në 50 Netanyahu.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






