Transmetuar më 27-10-2026, 17:56

Tatimet në 2027, qeveria propozon taksë 17% mbi fitimin e korporatave dhe 15% mbi dividendët

Projektligji i ri fiskal parashikon ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, investimet dhe fitimet e kompanive. Ndryshime propozohen edhe për sponsorizimet në sport, art e kulturë, si dhe për dorëzimin e pasqyrave financiare. Dispozitat e reja parashikohet të zbatohen nga 1 janari 2027.

Qeveria ka propozuar një paketë ndryshimesh në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, e cila synon të rishikojë disa nga normat tatimore dhe procedurat që zbatohen për individët dhe bizneset. Projektligji, i propozuar me nismën e Ministrisë së Financave, parashikon që ndryshimet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet e tyre të nisin më 1 janar 2027.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, për të cilin parashikohen tri norma progresive, në varësi të bazës tatimore vjetore.

Sipas projektligjit, të ardhurat e tatueshme nga punësimi deri në 3.24 milionë lekë në vit do të tatohen me 13%. Për të ardhurat nga 3.24 milionë deri në 8.04 milionë lekë parashikohet norma 23%, ndërsa për pjesën që tejkalon 8.04 milionë lekë norma e propozuar është 32%.

Projektligji përcakton gjithashtu një normë prej 15% për të ardhurat nga investimet. Megjithatë, ndikimi konkret i këtyre ndryshimeve te individët do të varet nga mënyra se si zbatohen fashat tatimore dhe nga dispozitat e tjera që rregullojnë llogaritjen e detyrimit.

Tatimi mbi fitimin e kompanive, 17%

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me tatimin mbi të ardhurat e korporatave. Projektligji propozon që norma e këtij tatimi të jetë 17%.

Për dividendët, pra të ardhurat që shpërndahen te aksionarët nga fitimet e kompanive, parashikohet një normë tatimore prej 15%, pa zbritur asnjë kosto.

Nëse miratohen në këtë formë, këto dispozita do të përcaktojnë kuadrin tatimor për fitimet e korporatave dhe shpërndarjen e tyre, duke prekur drejtpërdrejt mënyrën se si kompanitë dhe aksionarët llogarisin detyrimet përkatëse.

Tatimi në burim, norma e propozuar 15%

Ndryshime parashikohen edhe për tatimin e mbajtur në burim. Sipas projektligjit, norma për të ardhurat dhe pagesat e përcaktuara në nenin 58 të ligjit do të jetë 15%.

Zbatimi i kësaj norme lidhet me kategoritë e të ardhurave dhe pagesave që përfshin neni përkatës, ndaj ndikimi duhet vlerësuar sipas natyrës së secilit transaksion.

Rregulla të reja për sponsorizimet në sport, art dhe kulturë

Projektligji parashikon ndryshime edhe në trajtimin tatimor të sponsorizimeve, me rregulla të veçanta për shumat që tejkalojnë kufijtë e zakonshëm të zbritjes së shpenzimeve.

Për sponsorizimet e veprimtarive në fushën e artit, sportit dhe kulturës, teksti parashikon një kufi kombëtar prej 2 miliardë lekësh dhe një kufi prej 300 milionë lekësh për çdo sponsorizues.

Përfitimi nga zbritja lidhet me plotësimin e kushteve të përcaktuara në projektligj, përfshirë pajisjen me vërtetim nga ministria përgjegjëse dhe marrjen e autorizimit për sponsorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Shumat duhet të jenë shpenzuar gjatë periudhës tatimore dhe nuk mund të mbarten në periudhat pasuese.

Parashikime të veçanta bëhen edhe për sponsorizimet në botimet e shtypit, veprat letrare, shkencore e enciklopedike, si dhe për veprimtaritë e kërkimit dhe zhvillimit. Për këto kategori, projektligji përcakton kufij të lidhur me fitimin para tatimit. Një kufi tjetër parashikohet për sponsorizimet e veprimtarive që nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme.

Ndryshimet synojnë të përcaktojnë më qartë kushtet dhe kufijtë brenda të cilëve shpenzimet e sponsorizimit mund të njihen për efekt tatimor.

Pasqyrat financiare, synohet shmangia e dorëzimit të dyfishtë

Një tjetër ndërhyrje lidhet me procedurat e deklarimit dhe depozitimit të pasqyrave financiare.

Sipas projektligjit, tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas legjislacionit përkatës do të paraqesin pranë administratës tatimore deklaratën vjetore dhe të dhënat e tjera të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Pasqyrat financiare do të paraqiten pranë administratës tatimore vetëm nga tatimpaguesit që nuk kanë detyrimin t’i depozitojnë ato pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Për subjektet që kanë këtë detyrim, pasqyrat do të depozitohen pranë QKB-së brenda afateve ligjore dhe më pas do t’i përcillen elektronikisht administratës tatimore.

Megjithatë, për pasqyrat financiare që i përkasin vitit tatimor 2026, projektligji parashikon që detyrimi i depozitimit të vijojë edhe pranë administratës tatimore.

Përjashtime nga tatimi për disa kategori individësh

Projektligji ndryshon edhe dispozitën që lidhet me përjashtimin nga tatimi të të ardhurave personale për disa kategori individësh dhe të vetëpunësuarish të vetëm.

Në këtë kategori përfshihen personat e verbër, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, personat me surdomutizëm dhe invalidët e punës, me kusht që statusi përkatës të provohet përmes dokumentacionit të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndryshimi synon të përcaktojë shprehimisht kategoritë që përfitojnë nga ky trajtim tatimor.

P R O J E K T V E N D I M

Nr.______, datë___________

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 29, DATË 30.03.2023, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 81, pika 1, dhe nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvend, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

P R O J E K T L I GJ

Nr. _____/2026 

 PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 29, DATË 30.03.2023, ‘PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT’, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe nenit 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 11, shkronja “g”, ndryshon me përmbajtjen si më poshtë:

“g) të ardhurat personale të individëve dhe të vetëpunësuarve të vetëm, që kanë statusin e personit të verbër, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, personit me surdomutizëm dhe invalidit të punës të provuar me vërtetimin përkatës të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi të fushës.”. 

Neni 2

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme: 

Baza tatimore vjetore                     Norma tatimore

0 – 3 240 000 lekë                                   13%

3 240 001 – 8 040 000 lekë                       23%

Mbi 8 040 000 lekë                                  32%”

Pika 3 ndryshohet si më poshtë:

“3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%.”

Neni 3

Në nenin 27, në pikën 3, pas togfjalëshit “…dhe pasqyrat e raportimit financiar…” shtohet togfjalëshi “sipas përcaktimeve të pikës 5 të nenit 61 të këtij ligji,…”.

Neni 4

Në nenin 40, pika 1/1 shfuqizohet.

Neni 5

Neni 41 ndryshon me përmbajtje si më poshtë:

“Neni 41

Norma tatimore

Norma e tatimit mbi të ardhurat e korporatave është 17%. Norma tatimore për dividendët është 15%, pa zbritur asnjë kosto.”

Neni 6

Në nenin 50, pika 1, shkronja p), ndryshon me përmbajtje si më poshtë:

“p) shumat e sponsorizuara:

që tejkalojnë masën 3 për qind të të ardhurave totale bruto për sponsorizimin e veprimtarive në fushën e artit, sportit dhe kulturës, por jo më shumë se 2,000,000,000 lekë në rang kombëtar dhe jo më shumë se 300,000,000 lekë për një sponsorizues.

Kjo zbritje lejohet vetëm për entitetet sponsorizuese, të cilat janë të pajisura me vërtetim nga ministria përgjegjëse në fushën e artit, sportit dhe kulturës, sipas legjislacionit të fushës, janë shpenzuar përgjatë periudhës tatimore dhe pas lëshimit të “Autorizimit të sponsorizimit”  të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme nuk lejohet.

Shumat e sponsorizuara për veprimtaritë në fushën e sportit, artit dhe kulturës, brenda kufijve të përcaktuar në këtë nënndarje, deklarohen veçmas në deklaratën vjetore të tatimit mbi të ardhurat e korporatës.

që tejkalojnë masën 5 për qind të fitimit para tatimit për botuesit e shtypit dhe botimet e veprave letrate, shkencore, enciklopedike, si dhe për sponsorizimin e aktiviteteve për kërkim dhe zhvillim, të cilat ndërmerren me qëllim përfitimin e njohurive të reja për zhvillimin e shkencës e të teknologjisë dhe aplikimit të tyre nëpërmjet inovacionit në produkte ose në shërbime;

që tejkalojnë masën 3 për qind të fitimit para tatimit për sponsorizimet e veprimtarive të tjera, që nuk përfshihen në nënndarjet “i” dhe “ii” të kësaj shkronje.

Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurat e zbatimit të kësaj shkronje.”.

Neni 7

Neni 59 ndryshohet si më poshtë:

“Neni 59

Norma e mbajtjes së tatimit në burim

Norma e tatimit të mbajtur në burim mbi të ardhurat dhe pagesat sipas nenit 58 të këtij ligji është 15%. 

Neni 8

Në nenin 61, në pikën 5, bëhen ndryshimi dhe shtesat si më poshtë:

Fjalia e dytë ndryshon me përmbajtje si më poshtë:

“Tatimpaguesit që mbajnë kontabilitet sipas kërkesave të ligjit përkatës paraqesin pranë organeve tatimore deklaratën vjetore dhe të dhënat e tjera të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.”

Pas fjalisë së dytë shtohen fjalitë me përmbajtje si më poshtë:

“Pasqyrat financiare paraqiten pranë organeve tatimore vetëm nga tatimpaguesit që nuk kanë detyrimin e depozitimit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Për tatimpaguesit që kanë detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, ato depozitohen brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin përkatës. Qendra Kombëtare e Biznesit ia përcjell administratës tatimore elektronikisht.

Përjashtimisht, për pasqyrat financiare që i përkasin vitit tatimor 2026, vijon të zbatohet detyrimi për depozitimin e tyre edhe pranë administratës tatimore.”.

Neni 9

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2027.

K R Y E T A R I

NIKO PELESHI

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit