Transmetuar më 27-10-2026, 12:53

ELBASAN — Uzina e Ferrokromit në Papër, në pronësi të kompanisë “Albchrome sh.p.k.”, është kthyer në një vatër të rrezikshme kontaminimi mjedisor dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e mijëra banorëve të zonës, pas zbulimit të qindra tonëve mbetjeve toksike të depozituara në shkelje të plotë të ligjit.

Një inspektim i imtësishëm i kryer nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka zbardhur të dhëna alarmante nga terreni. Sipas raportit zyrtar të kontrollit për subjektin me administratore Teuta Ustundag, inspektorët Xhevdet Haxhiaj, Henri Bacinozi dhe Enver Halipaj kanë dokumentuar një menaxhim të skandallshëm të mbetjeve industriale, me pasoja të pakthyeshme për ekosistemin lokal.

Në qendër të gjetjeve është stivimi i mbi 300 tonë pluhurave helmues të kapur nga filtrat e oxhaqeve, të klasifikuar zyrtarisht nën kodin e rrezikshëm mjedisor 10 08 15*. Këto mbetje industriale me përmbajtje të lartë metallesh të rënda mbaheshin prej më shumë se një viti në thasë të zakonshëm plastikë “bigbag”, të ekspozuar plotësisht ndaj erës, diellit dhe reshjeve në ambientet e jashtme të uzinës.

Përveç pluhurave të filtrave, raporti evidenton shkelje të rënda edhe me skorjet e ferrokromit (kodi 10 08 09). Sipërfaqja ku janë depozituar këto mbetje është tërësisht e pambrojtur, pa perimetër rrethues dhe pa sisteme të kanalizimit apo drenazhimit. Si pasojë e kontaktit të vazhdueshëm me ujërat e shiut, procesi i oksidimit krijon shpëlarje toksike që depërtojnë thellë në shtresat e tokës, duke helmuar ujërat nëntokësorë të zonës bujqësore të Papërit.

Ekspertët e mjedisit dhe të shëndetit publik theksojnë se banorët po i ekspozohen një rreziku të dyfishtë përmes ajrit dhe ujit. Përhapja e pluhurit toksik nga era bën që grimcat e rrezikshme të thithen drejtpërdrejt nga popullata, ndërsa derdhja e kontrolluar e ujërave të ndotur prek burimet ujore që përdoren për konsum dhe vaditje të prodhimeve bujqësore.

Ndotësi kryesor i identifikuar është Kromi Heksavalent, një substancë e certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si kancerogjen i Grupit 1. Ekspozimi ndaj këtij elementi shkakton kancer të mushkërive, stomakut dhe veshkave, si dhe dëmtime të rënda të rrugëve respiratore si bronkit kronik dhe fibrozë. Gjithashtu, kjo lëndë mbart veti mutagjene që dëmtojnë strukturën e ADN-së dhe shkaktojnë pezmatime të rënda të lëkurës (dermatit) apo ulçera të pariparueshme.

Inspektimi i AKM-së zbuloi gjithashtu parregullsi të tjera brenda rrethimit të uzinës, ku kompleksi operonte në mënyrë të paligjshme një stacion karburanti (pika ID 1.10) të papërfshirë në lejen mjedisore. Pranë depozitave të naftës, të cilat nuk dispononin as argjinaturë mbrojtëse kundër rrjedhjeve, u gjetën të hedhura pa asnjë kriter mjedisor pirgje me lëndë skrapi dhe ambalazhe plastike, duke dëshmuar një anarki të plotë administrative dhe teknike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit