

Qeveria ka vendosur të rrisë drastikisht tatimet dhe taksat për biznesin e vogël, tatimin mbi pagën për shtresën e mesme dhe një rritje të ndjeshme edhe për biznesin e madh.
Në parlament po dërgohet një paketë e re fiskale e cila nëse hyn në fuqi më 2027 ndryshon legjislacionin ekzistues që përcakton TVSH 20 për qind vetëm mbi shumën 10 milionë lekë për bizneset. Me ndërhyrjen e re kjo zbret në vetëm 5 milionë lekë, ndërsa TVSH shkon në 21 për qind.
Paketa e re ndryshon TVSH-në dhe rritet për hotelet me 5 yje dhe sektorin e agriturizmit duke shkuar nga 6 në 10 për qind.
Lajm i mirë, por që nuk dihet se çfarë efekti do të ketë në treg, është ulja e TVSH për ushqimet nga 20 për qind që është tani në 6 për qind. Deri sot ne kemi qenë i vetmi vend në rajon dhe Evropë që mban TVSH të njëjtë si çdo produkt tjetër, përfshirë kozmetikën.
Rritet Tatimi mbi fitimin në 17 për qind
Paketa e re fiskale parashikon rritje të barrës tatimore për bizneset vitin e ardhshëm, përmes rritjes së tatimfitimit me 2 për qind duke e çuar në 17%.
Ministria e Financave thotë se synohet mbrojtja e plotë e biznesit të vogël dhe e të vetëpunësuarve dhe shton: Ky ndryshim prek vetëm subjektet e tatimit mbi të ardhurat e korporatave sipas nenit 41, ndërkohë që mbetet plotësisht në fuqi norma 0% deri më 31 dhjetor 2029 për të gjitha subjektet (individë tregtarë, të vetëpunësuar dhe entitete) me të ardhura bruto vjetore deri në 14 milionë lekë sipas nenit 69, pika 1, shkronja “dh” të ligjit, si dhe normat tatimore për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar sipas nenit 24, pika 2.
Dividenti, tatimi shkon 15 për qind nga 8 që është aktualisht
Po ashtu është vendosur thuajse dyfishim i normës së tatimit mbi të ardhurat nga dividenti i cili shkon nga 8 në 15 për qind.
Rritja do të aplikohrt në të trija dispozitat e ligjit nr. 29/2023 që rregullojnë taksimin e dividendit:
në nenin 24, pika 3 (neni 2, pika 2 i projektligjit), ku shkronjat “a” (8% për dividendët) dhe “b” (15% për çdo zë tjetër të të ardhurave nga investimi) shkrihen në një dispozitë të vetme të unifikuar: “3. Të ardhurat nga investimi tatohen me normën 15%”;
në nenin 41 (neni 5 i projektligjit), ku norma tatimore për dividendët përcaktohet në 15%, pa zbritur asnjë kosto; dhe
në nenin 59 (neni 7 i projektligjit), ku hiqet ndarja e mëparshme prej 8% për dividendët dhe unifikohet në një shkallë të vetme prej 15% norma e tatimit të mbajtur në burim për të gjitha të ardhurat dhe pagesat sipas nenit 58 të ligjit.
Sakaq ndryshon Tatimi mbi pagën. Nëse deri tani tatimi 13 për qind ishte për pagat deri 2 milionë lekë të vjetra, tani ai shtrihet deri në 3 milionë e 240 mijë lekë të vjetra.
Gjithashtu ndryshon Tatimi mbi të ardhurat për pagat më të larta: nga 2027 do të ketë 23% taksë për pagat nga 3 milionë e 24 mijë lekë deri në 8 milionë e 4 mijë lekë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






