

TRABZON — Një duel me shtatë gola dhe përmbysje spektakolare ka karakterizuar sfidën e kampionatit turk mes Rizesporit dhe Trabzonsporit, me dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi dhe Qazim Laçi, që u kthyen në protagonistët kryesorë të mbrëmjes.
Rizespori e mbylli pjesën e parë në avantazh të dyfishtë falë dy golave të Gennaro Borrellit në minutat 12 dhe 32. Megjithatë, Trabzonspori reagoi fuqishëm pas pushimit. Melih Kabasakal ngushtoi diferencën në minutën e 49-të, ndërsa Aral Şimşir barazoi shifrat dy minuta më vonë, ku të dy golat erdhën pas asistimeve të Ernest Muçit. Në minutën e 57-të, Franculino kaloi miqtë në avantazh pas një aksioni ku Muçi ishte sërish përcaktues.
Rizespori u rikthye përkohësisht në lojë në minutën e 68-të, kur Qazim Laçi realizoi një goditje spektakolare nga distanca duke mposhtur portierin André Onana për shifrat 3-3. Sidoqoftë, në minutën e 83-të, Muçi dhuroi asistin e tij të tretë personal për Franculino-n, i cili vulosi fitoren 4-3 për Trabzonsporin.
Me këtë sukses, Trabzonspori regjistroi fitoren e katërt radhazi duke u ngjitur në kuotën e 19 pikëve, ndërsa Rizespori mbetet në kuotën e 10 pikëve pas humbjes së tretë radhazi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






