

PRISHTINË, 26 Tetor 2026 — Këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri ka reaguar me ashpërsi të madhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur indinjatën e saj të thellë ndaj dështimit të institucioneve shtetërore për të mbrojtur gratë që përballen me dhunë dhe kërcënime publike për jetën.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, artistja ka adresuar pyetje të forta mbi mënyrën se si organet përgjegjëse trajtojnë rastet kur viktimat kërkojnë ndihmë paraprake, por mbeten të pambrojtura përballë rrezikut fatal.
“E dashur Arlinda, sistemi ka dështuar edhe një herë”, ka shkruar Dafina Zeqiri, duke theksuar se është e pakuptueshme se si një grua që kërkon ndihmë nga institucionet dhe denoncon frikën për jetën e saj, përfundon sërish e vrarë.
Këngëtarja ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e masave mbrojtëse reale nga ana e shtetit, duke shtruar pyetjen se sa gra duhet të humbin jetën para se thirrjet e tyre të merren seriozisht.
“Kur ka me ardhur dita që gratë i shpëtojmë, e jo veç i vajtojmë masi të jetë vonë?”, ka përfunduar ajo, duke iu bashkuar valës së reagimeve publike që kërkojnë llogaridhënie institucionale dhe masa urgjente për parandalimin e femicideve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






