Transmetuar më 26-10-2026, 20:39

TIRANË, 26 Tetor 2026 — Organi i akuzës ka nisur kryesisht hetimet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ku dyshohen efektivë të Policisë së Shtetit pas incidentit të rëndë ku u plagos 28-vjeçari Erjon Vishkulli.

Në kuadër të veprimeve të para hetimore, autoritetet kanë sekuestruar dhe administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar gjatë përplasjeve, përfshirë edhe dokumetin mjekësor të 28-vjeçarit.

Gjatë ditës së nesërme, Prokuroria do të dërgojë një letër-porosi drejt autoriteteve spanjolle ose italiane për të siguruar objektin ose materialin që do të hiqet nga syri i Erjon Vishkullit. Kjo provë do t’i nështrohet ekspertizës balistike dhe forenzike për të përcaktuar nëse dëmtimi është shkaktuar nga një plumb gome apo nga ndonjë material tjetër.

Për zbardhjen e plotë të rrethanave, hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë, kartelën spitalore të të riut në Spitalin e Traumës, si dhe i kanë kërkuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore listën e plotë me emrat e punonjësve të FNSH-së që ishin të planëzuar me shërbim pranë Bankës, selisë së PS-së dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Paralelisht, dy grupe të tjera prokurorësh po hetojnë rastet e tejkalimit të kompetencave dhe dhunës policore gjatë protestave disaditore në kryeqytet, duke kërkuar edhe rregulloren zyrtare mbi procedurat e ndërhyrjes së forcave të rendit gjatë tubimeve.

Mes ngjarjeve që po hetohen për veprime arbitrare përfshihen dëmtimi i Ledion Ballës, i cili pësoi thyerje të këmbës, goditja e disa protestuesve, si dhe incidenti ku një i ri u rrëzua përtokë nga një efektiv i pajisur me skafandër.

Gjithashtu, përfaqësues të akuzës kanë qenë të pranishëm në seancat për caktimin e masave të sigurisë ndaj rreth 200 personave të shoqëruar dhe arrestuar gjatë dy javëve të protestave, të cilët po hetohen për sulm ndaj institucioneve dhe dëmtim të pronës publike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit