

“Sot në orën 2 te vendi”. Kështu nis dita e të rinjve që prej 5 muajsh janë në shesh për të protestuar.
“Unë jam Iris Kola, studente për Arkitekturë dhe Planifikim Peizazhi, 20 vjeçe”, tha ajo.
Irisi thotë se la pas studimet për të marrë pjesë në tubime. Sipas saj, të rinjtë sot nuk protestojnë vetëm për përmirësimin e kushteve në auditore. Arsyet se përse ata dalin në shesh janë më të mëdha se kaq.
“Tregu i punës është arsyeja, kushtet e spitaleve. Emigrimi, një tjetër gjë pse protestoj. Do të isha më mirë sesa jashtë në vendin tim, ky mentalitet duhet të ndryshojë. Të protestosh 5 muaj nuk është aspak e lehtë”, u shpreh studentja Kola.
Protesta paqësore e flamingove, në tetor u shndërrua në një revoltë që solli përplasjen fizike ndërmjet studentëve dhe policisë. Irisi thotë se fjala u zëvendësua me veprime, pasi kërkesat e flamingove u shpërfillën nga politika.
“Protesta e qershorit ishte e flaktë, më pas u kthye në një qëndresë. Por protesta tani është më shumë një revoltë, sepse në 130 ditë protestë ne u bëmë edhe objekt talljeje për qeveritarët. Ndërsa tani nuk ka më fjalë, por vetëm veprime“, deklaroi Kola.
Në qershor qytetarët protestues kërkonin shfuqizimin e ligjeve që preknin natyrën, ndërsa tani kërkesa e tyre është një dhe e vetme: ata duan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Dorëheqje të kabinetit qeveritar. Ministria e Arsimit duhet të ishte e para që të dorëhiqej, pasi auditorët i ka bosh dhe studentët i ka të lyer me gjak”.
Studentët deri më tani nuk kanë prezantuar një lider që i përfaqëson, por, nga ana tjetër, më së miri ata dinë të organizohen, duke ndarë edhe detyrat mes tyre.
“Studentët protestojnë me zërin dhe forcën. Ne jemi të organizuar: dikush merret me mjekimin, dikush tjetër është te vija e parë e revoltës, dikush siguron gurët. Është e organizuar dhe ka ardhur krejtësisht organike”.
Për Irisin, fitorja e studentëve në Serbi është një mesazh që edhe në vendin tonë të rinjtë duhet të drejtohen drejt një lëvizjeje politike, që nesër zëri i tyre të mos vijë nga sheshi, por nga karriget e parlamentit.
“Studentët e fituan dhe është një lëvizje që edhe në Shqipëri duhet të fillojë për studentët dhe nga studentët, pa përfshirjen e politikës, OJF-ve apo OJQ-ve”.
E pas këtij lajmi, Iris Kola ka vetëm një mesazh. Të rezistojmë, sepse do t’ia dalim.TCh
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






