

Një nënë dhe vajza e saj, të dyja shtetase shqiptare, kanë arritur të fitojnë apelimin në Gjykatën e Lartë të Emigracionit në Britaninë e Madhe, pasi kundërshtuan refuzimin e kërkesave të tyre për azil dhe mbrojtje ndërkombëtare.
Sipas vendimit gjyqësor të publikuar sot më 26 tetor 2026, gjykata konstatoi gabime ligjore në shqyrtimin e mëparshëm të çështjes, duke vendosur anulimin e vendimit dhe rikthimin e dosjes për një proces të ri.
Dy shqiptaret, A.C., një grua e lindur në vitin 1967 dhe vajza e saj S.P., e lindur në vitin 2000, kishin kërkuar mbrojtje nga autoritetet britanike, duke pretenduar se rrezikoheshin nga ish-bashkëshorti dhe babai i vajzës.
Sipas dokumenteve gjyqësore, burri kishte punuar më parë si efektiv i policisë rrugore në Shqipëri, por ishte larguar nga detyra në vitin 2016 për shkak të marrjes së ryshfetit.
Dy gratë deklaruan se kishin qenë viktima të dhunës dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga ana e tij. Ato pretenduan se, në rast kthimi në Shqipëri, jeta e tyre mund të vihej në rrezik dhe se autoritetet shqiptare nuk do të ishin në gjendje t’u siguronin mbrojtje efektive.
Largimi nga Shqipëria dhe kërkesa për azil
Sipas historikut të paraqitur në gjykatë, nënë e bijë u larguan fillimisht nga Shqipëria në shkurt të vitit 2019, duke udhëtuar drejt Qipros.
Atje, ato u ndaluan për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe qëndruan për tre muaj në burg, përpara se të ktheheshin në Shqipëri.
Në shtator të të njëjtit vit, ato u larguan përsëri, duke kaluar përmes Polonisë dhe Belgjikës, përpara se të mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar.
Nëna paraqiti kërkesën për azil në maj të vitit 2020, ndërsa vajza në mars të vitit 2021.
Kërkesat e tyre u refuzuan nga Ministria e Brendshme britanike në dhjetor 2023.
Gjatë qëndrimit në Britani, vajza u bë nënë e dy fëmijëve, të lindur në vitet 2020 dhe 2023. Ajo pretendoi se lindja e fëmijëve jashtë martesës mund ta ekspozonte ndaj kërcënimeve shtesë nga babai i saj, për shkak të normave tradicionale të Kanunit në zonën nga vinte.
Gjykata britanike evidenton mangësi në shqyrtimin e rrezikut
Në dhjetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë kishte rrëzuar ankimimet e dy shqiptareve, duke vlerësuar se nuk ishte provuar një rrezik real që do të justifikonte dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare.
Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë të grave e kundërshtuan vendimin, duke argumentuar se gjykata nuk kishte marrë në konsideratë siç duhej një raport të hollësishëm ekspertësh mbi dhunën në familje dhe funksionimin e mekanizmave të mbrojtjes në Shqipëri.
Raporti ngrinte shqetësime lidhur me zbatimin praktik të urdhrave të mbrojtjes, ndikimin e personave me lidhje në institucionet shtetërore dhe vështirësitë që mund të përballojnë gratë që kërkojnë mbrojtje nga dhuna.
Një nga çështjet kryesore kishte të bënte me faktin se nëna kishte siguruar më parë një urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit, por pretendonte se ai nuk ishte zbatuar në mënyrë efektive.
Gjykata e Lartë e Emigracionit vlerësoi se gjyqtari i mëparshëm nuk kishte shpjeguar në mënyrë të mjaftueshme arsyet për të cilat kishte refuzuar përfundimet e raportit të ekspertit.
Sipas gjykatës, ekziston një dallim i rëndësishëm mes lëshimit të një urdhri mbrojtjeje dhe zbatimit real të tij nga autoritetet.
Gjykata konstatoi se mungesa e arsyetimit për këtë çështje përbënte një gabim ligjor me rëndësi për vendimin përfundimtar.
Çështja rikthehet për gjykim, azili ende nuk është miratuar
Pas shqyrtimit të ankimit, gjyqtari D. Merrigan vendosi të anulonte plotësisht vendimin e mëparshëm dhe ta kthente çështjen për një seancë të re në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Procesi i ri do të zhvillohet përpara një gjyqtari tjetër, i cili do të shqyrtojë nga fillimi provat dhe pretendimet e dy shtetaseve shqiptare.
Vendimi i fundit nuk nënkupton se grave u është dhënë azili në Britaninë e Madhe. Ai u jep atyre mundësinë që kërkesat e tyre për mbrojtje të shqyrtohen përsëri, pas anulimit të vendimit të mëparshëm.
Gjykata ka vendosur gjithashtu ruajtjen e anonimatit të dy grave, për shkak të natyrës së pretendimeve të tyre dhe rrethanave të çështjes. /noa.al
Foto arkiv, BBC
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






