

Një shtetas shqiptar, 40 vjeç, është dënuar me 26 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi policia zbuloi një ambient të përshtatur për kultivimin e kanabisit në qytetin Kettering, në Northamptonshire.
Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Northamptonshire, të publikuar sot më 26 tetor 2026, i dënuari është identifikuar si Marjon Rexha, i cili u arrestua gjatë një operacioni policor të zhvilluar në një banesë në Rothwell Road.
Operacioni u krye më 21 maj 2026, pasi efektivët e policisë lokale siguruan një urdhër kontrolli në kuadër të legjislacionit britanik për substancat e ndaluara.
Gjatë ndërhyrjes, policia gjeti 40-vjeçarin në katin e sipërm të banesës, ndërsa kontrollet zbuluan gjithsej 221 bimë kanabisi, në faza të ndryshme rritjeje. Bimët ishin shpërndarë në pesë dhoma dhe në garazhin e pronës.
Sipas autoriteteve britanike, Rexha ishte personi i vetëm që qëndronte në atë banesë.
Zbulohet edhe shkelja e urdhrit të dëbimit
Pas arrestimit, verifikimet e kryera nga autoritetet zbuluan se shtetasi shqiptar kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në kundërshtim me një urdhër të mëparshëm dëbimi.
Për këtë arsye, ai u akuzua jo vetëm për prodhimin e një substance narkotike të klasës B, por edhe për hyrje të vetëdijshme në territorin britanik në shkelje të urdhrit të dëbimit.
Më 22 maj, Rexha u paraqit përpara Gjykatës së Magjistratëve në Northampton, ndërsa çështja e tij u transferua më pas në Gjykatën e Kurorës.
Gjatë seancës së zhvilluar më 5 tetor 2026, ai pranoi fajësinë dhe u dënua me 26 muaj burg.
Detektivi James Batten, i cili drejtoi hetimin, deklaroi se lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike mbetet një nga përparësitë e policisë lokale.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes njësive të policisë dhe informacionet e komunitetit janë thelbësore për identifikimin e ambienteve të përdorura për aktivitete të paligjshme.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, duke theksuar se operacione të ngjashme do të vijojnë në të gjithë rajonin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






