

Një shtetas shqiptar, 33 vjeç, është dënuar me 16 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi policia zbuloi një ambient të fshehtë të përdorur për kultivimin e kanabisit brenda një banese në Ashford, në qarkun Kent.
Sipas njoftimit të publikuar sot më 26 tetor 2026 nga Policia e Kentit, i dënuari është identifikuar si Marius Dardha, i cili kishte përshtatur disa ambiente të banesës për kultivimin e bimëve narkotike.
Operacioni policor u zhvillua më 4 gusht 2026, në një pronë në Riverbank Way, si pjesë e hetimeve kundër krimit të organizuar.
Në momentin që efektivët hynë në banesë, Dardha tentoi të largohej përmes kopshtit të pasmë, por u ndalua dhe u arrestua nga policët që kishin rrethuar objektin.

Dhoma sekrete që policia zbuloi pas një dollapi
Gjatë kontrollit të pronës, hetuesit konstatuan se pesë dhoma ishin përshtatur për kultivimin e kanabisit.
Megjithatë, zbulimi më i pazakontë ishte një dhomë e fshehtë pas mureve të rreme, hyrja e së cilës bëhej nëpërmjet një hapësire të ngushtë brenda dollapit të një komodine në dhomën e ndenjjes.
Për të hyrë në këtë ambient, personat duhej të kalonin duke u zvarritur përmes hapësirës së krijuar posaçërisht.
Në total, policia sekuestroi rreth 250 bimë kanabisi të rritura.
Hetimet zbuluan gjithashtu fotografi dhe video të bimëve në telefonin celular të shqiptarit. Sipas policisë, këto materiale sugjeronin se ai mund të ishte përfshirë në furnizimin me kanabis që prej shtatorit 2025.
Rrezik edhe për banorët e zonës
Detektivja Heather Walkden, e cila mori pjesë në hetim, deklaroi se banesa kishte pësuar ndërhyrje të shumta për t’u përshtatur për kultivimin e kanabisit.
Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e hapësirave ishte shndërruar në ambiente kultivimi, ndërsa zonat e tjera përdoreshin për grumbullimin e mbetjeve të aktivitetit.
Policia konstatoi gjithashtu ndërhyrje të paligjshme në instalimet elektrike, të cilat mund të kishin shkaktuar rrezik serioz për sigurinë e banorëve të zonës.
Pas arrestimit, Dardha u akuzua për prodhim kanabisi, akuzë të cilën e pranoi përpara gjykatës.
Më 20 tetor 2026, Gjykata e Kurorës në Canterbury e dënoi shqiptarin me 16 muaj burg.
Autoritetet britanike publikuan edhe pamje nga ambientet e zbuluara, përfshirë hyrjen e fshehtë që ishte ndërtuar pas dollapit.
Policia e Kentit theksoi se identifikimi i këtyre ambienteve është pjesë e përpjekjeve për të goditur aktivitetet e paligjshme të kultivimit të drogës dhe strukturat kriminale që përfitojnë prej tyre.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






