

PRISHTINË, 26 Tetor 2026 — Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke e cilësuar ngjarjen si tejet tronditëse dhe duke kërkuar llogaridhënie të plotë nga institucionet e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Kurti vuri theksin te fakti se viktima kishte kërkuar mbrojtje zyrtare vetëm tri ditë para ngjarjes fatale, duke paralajmëruar rrezikun që i kanosej, ndërsa autoritetet përgjegjëse dështuan të parandalonin tragjedinë.
Kreu i qeverisë kërkoi një hetim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm mbi procedurat e ndjekura nga organi i akuzës, në një kohë kur autori i dyshuar i krimit vazhdon të jetë në arrati dhe në kërkim nga policia.
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës:
“Arlinda Zekaj u vra dje, vrasja mizore është tejet tronditëse për të gjithë ne. Tri ditë para se të vritej Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë, duke paralajmëruar për rrezikun e jetës së saj, këto rrethana kërkojnë hetim të plotë dhe të menjëhershëm, ndërkohë që dorasi është në arrati. Pra ende nuk është arrestuar… Prokuroria dhe përgjegjësit duhet të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e saj, pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk është parandaluar me masa mbrojtëse dhe nëse ka pasur neglizhencë ose mosveprim nga ana e zyrtarëve përgjegjës, çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi duhet të trajtohet sipas ligjeve…”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






