

Një udhëtim me jaht nga Franca drejt Anglisë përfundoi me arrestimin e një peshkatari shqiptar 58-vjeçar, pasi në bordin e mjetit lundrues u gjetën 17 emigrantë.
Eno Gajda u shpall fajtor në Britaninë e Madhe për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, ndërsa pritet të mësojë dënimin më 18 nëntor.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), Gajda u arrestua më 27 gusht nga oficerët e Komandës së Sigurisë Kufitare, në brigjet e Dorsetit.
Ai kishte lundruar me një jaht 40 këmbë të gjatë nga Dielette, në Francë, me destinacion zonën pranë Portlandit, në bregdetin jugor të Anglisë.

Mjeti lundrues u pikas dhe u ndalua nga autoritetet britanike. Kur oficerët mbërritën në bord, gjetën 17 persona: 16 burra shqiptarë dhe një të mitur. Të gjithë u zbritën në portin e Portland Marina, ndërsa ndaj 58-vjeçarit nisi procedimi penal.
Gajda u deklarua fajtor sot më 26 tetor në Gjykatën e Kurorës në Bournemouth. Seanca për caktimin e dënimit është planifikuar për më 18 nëntor, në të njëjtën gjykatë, raporton noa.al duke cituar BBC.

Andy Tickner, drejtues në Agjencinë Kombëtare të Krimit, e cilësoi transportimin e emigrantëve përmes një prej korridoreve detare më të ngarkuara në botë si një veprim tepër të rrezikshëm, që mund të vinte në rrezik jetën e personave në bord.
Ndërkohë, Charlie Eastaugh, drejtor për çështjet detare dhe mjetet e vogla lundruese në Komandën e Sigurisë Kufitare, theksoi se autoritetet britanike do të vijojnë bashkëpunimin për të goditur rrjetet që merren me kontrabandën e emigrantëve.
Sipas NCA-së, lufta kundër krimit të organizuar të lidhur me emigracionin mbetet një përparësi për autoritetet britanike. Agjencia bën me dije se ka më shumë se 100 hetime aktive ndaj individëve dhe rrjeteve të dyshuara për përfshirje në kontrabandën e emigrantëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






