Transmetuar më 26-10-2026, 17:53

PRISHTINË, 26 Tetor 2026 — Kosova po përballet me një bilanc alarmant të vrasjeve të grave. Gjatë vitit 2026, tetë gra janë vrarë në Kosovë, në raste që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë vënë sërish në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e dhunës dhe garantimin e sigurisë së grave.

Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të përfaqësuesve të institucioneve, disa prej këtyre rasteve kanë nxitur reagime të forta, veçanërisht kur janë shoqëruar me pikëpyetje mbi masat e marra për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave.

Vrasja e Arlinda Zekajt, mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, e çoi në tetë numrin e grave të vrara gjatë këtij viti në Kosovë, sipas rasteve të raportuara. Mes viktimave janë një grua rreth 60-vjeçare, një 25-vjeçare shtatzënë dhe një tjetër grua që kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.

Viti nis me ngjarjen e rëndë në fshatin Restelicë të Dragashit, ku u gjet e pajetë një grua rreth 60-vjeçare. Për vrasjen e saj dyshohej djali, rreth 30 vjeç. Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua dhe u ndalua për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa autoritetet nisën hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Në mars, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në fshatin Majac të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbën jetën dy gra dhe një burrë. Sipas Policisë, Ardita Gashi dyshohej se kishte qëlluar për vdekje Ilaz Brahimin, 45 vjeç, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Më pas, ajo dyshohej se kishte marrë peng dhe plagosur Miradije Gashin. Kjo e fundit nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkohë, edhe e dyshuara ndërroi jetë në spital nga plagët e marra.

Miradije Gashi

Gjatë muajit gusht u shënua vrasja e 25-vjeçares shtatzënë Jetlira Foniqi Bytyqi, e cila humbi jetën mbrëmjen e 23 gushtit pasi u plagos me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës. Për vrasjen e saj dyshohej bashkëshorti, Egzon Foniqi, 26 vjeç, i cili gjithashtu kishte mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. Pavarësisht trajtimit mjekësor, Jetlira nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa bashkëshorti i saj ndërroi jetë më vonë në spital.

Egzon Foniqi dhe Jetlira Bytyqi

Gjithashtu në gusht, një tjetër rast tragjik u regjistrua në Prizren, ku një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., dyshohej se ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, 81 vjeç.

Në shtator, në Poterq të Epërm të Klinës, Zoje Zeneli, 81 vjeçe, u sulmua nga djali i saj. Ajo pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku më 6 tetor ndërroi jetë.

Më 9 tetor, të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët të Gjilanit u morën jetën Nafije Bogujevcit dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevcit. Për rastin dyshohej bashkëshorti i Nafijes, i cili më pas u dorëzua në Polici.

Rasti më i fundit është vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, ku për vrasjen e saj dyshohet kunati, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Rasti ka ngjallur shqetësim të veçantë për shkak se më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda i ishte drejtuar me një shkresë urgjente kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje dhe duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.

Citat nga letra e Arlinda Zekajt:

“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit