

Një student i pranishëm në protestën e zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit ka kundërshtuar paketën e re ligjore të propozuar nga kryeministri Edi Rama për dhunën gjatë protestave, duke e cilësuar nismën si një akt frike për të mbrojtur pushtetin.
Gjatë një prononcimi për mediat, studenti deklaroi se interesat politike të kryeministrit nuk duhet të vendosen mbi të ardhmen e Shqipërisë. Ai theksoi se dialogu bëhet i pamundur për sa kohë të rinjtë, sipas tij, përballen me dhunë gjatë protestave.
“Ne e shohim si akt frike. Kur një person e ndjen veten të detyruar që të ndryshojë ligje për të mbrojtur veten, karrigen dhe pushtetin e tij, mendoj se është më e rëndësishme e ardhmja e Shqipërisë sesa një karrige”, u shpreh studenti.
Më tej, ai akuzoi kryeministrin se po dëmton të ardhmen e vendit përmes mënyrës se si po trajtohen protestuesit, duke iu referuar përdorimit të forcës nga policia.
“Ai po e rreh, dhunon dhe godet me plumba të ardhmen e këtij vendi. Nuk mund të ketë më vend për dialog me një kryeministër që rreh të ardhmen e këtij vendi dhe i ka dalë e ardhmja e këtij vendi kundër”, deklaroi studenti.
Protesta përpara Ministrisë së Arsimit zhvillohet në një klimë tensionesh mes studentëve dhe qeverisë, pas paralajmërimeve të kryeministrit për masa të reja ligjore lidhur me dhunën gjatë tubimeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






