Transmetuar më 26-10-2026, 15:01

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për plagosjen e 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në kryeqytet. I riu dyshohet se u godit nga një plumb gome dhe është dërguar në Itali për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.

Sipas njoftimit zyrtar, organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal nr. 7806 të vitit 2026, për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “kryerjes së veprimeve arbitrare”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartelën mjekësore të të riut pranë Spitalit Universitar të Traumës. Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Prokuroria bën me dije se po punohet edhe për përcaktimin e mënyrave të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie për sigurimin e informacionit të nevojshëm lidhur me trajtimin mjekësor të 28-vjeçarit.

Hetimet nuk lidhen vetëm me rastin e Vishkullit. Në të njëjtin procedim penal po verifikohen edhe raste të tjera të dëmtimit të qytetarëve gjatë protestave, pas dyshimeve për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.

Deri më tani, prokuroria ka administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, ndërsa verifikimet përkatëse po vijojnë në bashkëpunim me AMP-në.

Organi i akuzës thekson se hetimet vijojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjeve, dokumentimin e provave dhe përcaktimin e përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit