Transmetuar më 26-10-2026, 11:20

TIRANË — Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo, ka reaguar publikisht pas qarkullimit në rrjetet sociale të një videoje intime, e cila është pretenduar se e shfaq atë krah një ish-banoreje të spektaklit "Big Brother".

Sulo hodhi poshtë në mënyrë kategorike pretendimet, duke sqaruar se nuk është ai personi që shfaqet në pamje dhe se përfshirja e emrit të tij po përdoret për të dëmtuar imazhin dhe familjen e tij.

Zyrtari i lartë bëri me dije se ka përgatitur paditë përkatëse ligjore ndaj personave që shpërndajnë këto aludime në platformat online, konkretisht ndaj shtetasve Senajda Kelmendi dhe Elton Tozaj.

“Do të ndjek çdo hap ligjor deri në fund. Liria e fjalës nuk mund të përdoret si justifikim për cenimin e dinjitetit dhe reputacionit të një personi. Nuk jam unë personi që shfaqet në video dhe nuk kam asgjë për të fshehur apo për të justifikuar”, deklaroi Sulo.

Postimi i plotë

LAJM I RREMË!

Të dashur miq, dashamirës, kolegë,

Prej dy ditësh jam vënë në dijeni se në rrjetet sociale po qarkullon një video intime e dy personave, e cila, përmes komenteve dhe publikimeve të ndryshme, është lidhur me emrin tim, duke pretenduar se në të shfaqem unë së bashku me një ish-banore të Big Brother. Nuk do të kisha menduar kurrë se do të më duhej të bëja një reagim publik për diçka të tillë. Aq më tepër kur mjafton ta shohësh atë video për të kuptuar se personi që shfaqet në të nuk jam unë. Për këdo që më njeh, kjo është lehtësisht e dallueshme dhe nuk lë vend për asnjë dyshim. Integriteti profesional, dinjiteti moral dhe pastërtia e figurës për t’i shërbyer detyrës janë parimet e jetës time. E kuptoj që pozicionet politike vijnë me një kosto personale, por ka një vijë të kuqe, aq më tepër kur bëhet fjalë për prishje të imazhit dhe figurës së një individi, bazuar në sajesë, mashtrim dhe keqdashësi për arsye audience apo dhe qëllime të tjera. Por ajo që më ka shtyrë të reagoj sot nuk është nevoja për të sqaruar diçka kaq të dukshme. Është mënyra se si emri im është përdorur dhe përhapur në rrjetet sociale, pa asnjë përgjegjësi për pasojat që sjell një veprim i tillë. Në publikimet dhe komentet e bëra nga Senajda Kelmendi dhe Elton Tozaj, emri im është lidhur me këtë video, duke më identifikuar edhe përmes detyrës që mbaj si Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përtej çdo funksioni publik, unë kam një familje, të cilët këto ditë janë përballur me një shqetësim krejtësisht të panevojshëm.

Nuk kam ndërmend të merrem me thashetheme dhe as të bëhem pjesë e kësaj mënyre komunikimi publik. Por nuk mund të pranoj që emri im, dinjiteti im personal dhe qetësia e familjes sime të përdoren në këtë mënyrë. Për këtë arsye, sot kam përgatitur kërkesën për gjykim ndaj dy personave të sipërpërmendur dhe do t’i drejtohem gjykatës kompetente. Do të ndjek çdo hap ligjor deri në fund, sepse besoj se liria e fjalës nuk mund të shërbejë si justifikim për të cenuar dinjitetin dhe reputacionin e një njeriu. Nuk është çështje detyre, pozicioni apo karriere. Është çështje dinjiteti njerëzor dhe respekti për familjen.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit