

KORÇË — Policia e Korçës ka arrestuar një 23-vjeçar i cili theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe plagosi me thikë një të ri gjatë një konflikti të çastit.
Autori i identifikuar si Renildo Islam, 23 vjeç, ishte nën masën e sigurisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ai plagosi në këmbë 19-vjeçarin me iniciale M. A. në lagjen nr. 4 të qytetit. I dëmtuari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit pas kapjes së tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan thikën e përdorur në ngjarje, një sasi kanabisi si dhe një armë sportive pistoletë me sfera. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprimet e mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në lagjen nr. 4, Korçë, gjatë një konflikti, shtetasi R. I., 23 vjeç, banues në Korçë, dyshohet se ka plagosur me thikë, në këmbë, shtetasin M. A., 19 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Korçë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit R. I., 23 vjeç, banues në Korçë. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan thikën e përdorur gjatë konfliktit, një sasi lënde narkotike kanabis dhe një objekt në formë pistolete, në ngjyrë të zezë, që përdorej me sfera.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






