

PEJË — Detaje të reja tronditëse janë zbardhur rreth vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj në Vitomiricë të Pejës, e cila u eliminua me sëpatë vetëm disa minuta pasi u shoqërua në banesë nga patrulla e policisë.
Në një letër dorëshkrim të siguruar nga mediat, të cilën viktima ia kishte dërguar Prokurorisë Themelore në Pejë më 22 tetor 2026, ajo kishte ngritur alarmueshëm shqetësimin për jetën e saj dhe kishte kërkuar hetimin e zyrtarëve që sipas saj dështuan në zbatimin e urdhrave mbrojtës.
“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante Zekaj në parashtresën drejtuar kryeprokurores.
Sipas procesverbaleve zyrtare, tri ditë para krimit, policia e kishte shoqëruar viktimën te banesa në Vitomiricë, por pasi ish-bashkëshorti nuk i kishte hapur portën, ajo u udhëzua të strehohej te vëllezërit e saj në Radac. Mbrëmjen e 25 tetorit, Zekaj denoncoi sërish dhunë në familje, çka solli ndalimin e ish-bashkëshortit për 48 orë.
Pasi kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj, ajo u shoqërua nga patrulla policore, mirëpo vetëm dhjetë minuta pas largimit të efektivëve, organet e rendit morën njoftimin për ekzekutimin e saj në dhomën e gjumit. Për krimin makabër dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ndodhet në arrati, ndërsa prokuroria konfirmoi se parashtresa e viktimës i ishte përcjellë me urgjencë gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale për trajtim.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






