

PEJË — Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur Kosovën, ku 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj është vrarë me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Lidhur me ngjarjen, Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë edhe bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylaj.
Viktima kishte jetuar për rreth një dekadë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara se të kthehej në Kosovë, periudhë gjatë së cilës ishte përballur me dhunë të vazhdueshme familjare, dëbim nga shtëpia dhe pengesa sistematike për marrjen e kujdestarisë së djalit të saj të mitur.
Krimi ndodhi vetëm dhjetë minuta pasi viktima ishte shoqëruar për në banesë nga një patrullë policore, pas marrjes në pyetje në komisariat për një rast të mëparshëm dhune.
Vetëm tri ditë përpara ngjarjes, më 22 tetor 2026, Arlinda u kishte dërguar një letër urgjente organëve të drejtësisë ku denonconte neglizhencën e institucioneve dhe dështimin e zbatimit të urdhrit të mbrojtjes.
“Kjo është fjala ime e fundit. Do të vijë dita kur institucionet do të detyrohen të japin llogari vetëm pasi të më merret jeta”, shkruante 49-vjeçarja në letrën drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë.
Organet e hetimit kanë nisur procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore për të gjithë personat e përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






